Pranë pikës kufitare të Kakavijës, janë shënuar radhë të gjata në këtë fundjavë. Vargu i automjeteve s ka kaluar 1 km në territorin shqiptar për shkak të testeve anticovid që ndërmerren ndaj çdo personi në hyrje të Greqisë nga autoritetet shëndetësore.
Qytetarët e kryesisht emigrantët shprehen se kanë qenë të detyruar të qëndrojnë për orë të tëra në pritje për të kaluar kufirin, ku situata flet në disfavor të tyre edhe me rritjen e temperaturave gjatë paradites së kësaj të shtune.
Burime nga pika kufitare e Kakavijës, bëjnë me dije se pala shqiptare punon me 4 sportele ndërsa ajo greke me 2 të tillë, çka konsiderohet edhe arsyeja kryesore e krijimit të kësaj situate pa përmendur këtu faktin se çdo shtetas që hyn në territorin grek duhet të kryeje rapid test, i cili vërteton se individi nuk është i prekur me covid 19.
Pika kufitare e Kakavijës është dogana më e madhe tokësore në jug të vendit dhe referuar viteve të kaluara, gjithmonë gjatë muajit gusht është përballur me fluks të shtuar të emigrantëve të cilët jo pak herë kanë qenë të detyruar të qëndrojnë me orë të tëra mes temperaturave të larta, në pritje për të kaluar kufirin. Situata më e rëndë gjatë viteve të fundit u shënua gjatë verës së kaluar, ku radhët shkuan në disa kilometra e për fat të keq një fëmijë 10 vjeçar humbi jetën si pasojë e një aksidenti automobilistik teksa priste në radhë.
/Priza.al/