Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka ndarë ditën e sotme një mesazh, me rastin e ditës ndërkombëtare të Punëtorëve. Ajo shkroi se kontributi i tyre qëndron në themel të progresit e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Nikolla theksoi se avancimi i reformave, drejtësia sociale dhe përkushtimi për Shqipërinë evropiane janë investim për njerëzit e punës.
“Sot është 1 Maj, Dita e Punëtorëve. Puna, kontributi dhe zëri i punëtorëve qëndrojnë në themel të progresit dhe rritjes ekonomike të Shqipërisë.
Mirëqenia e cilësia e jetës së njerëzve të punës; puna e denjë, sidomos për gratë, vajzat e rininë; rritja e pagave; ngushtimi i hendekut gjinor e moshor në paga dhe përmirësimi i kushteve të punës janë prioritete të Kuvendit të Shqipërisë.
Përkushtimi për Shqipërinë evropiane, avancimin e reformave, drejtësinë sociale, rritjen e investimeve, përmirësimin e shërbimeve publike dhe mirëqeverisjen janë investimi më i mirë për njerëzit e punës.” – shkruan kryeparlamentarja Nikolla.