Transhi i parë i një pakete tërësore prej 9 miliardë eurosh i është dhënë Ukrainës nga strukturat e Bashkimit Evropian, ku vlera e kapur është prej 1 miliard eurosh në formën e një asistence makro-financiare.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, i cili ka falënderuar nëpërmjet një postimi në median e tij sociale Twitter, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen si edhe Komisionerin për Tregtinë pranë BE-së, Valdis Dombrovskis.
Sipas Shmyhal, kjo formë ndihme është më e duhura momentale për Kievin, pasi do ta ndihmojë vendin të përballojë pasojat e luftës me Rusinë në aspektin financiar, duke krijuar kështu një front rezistence edhe për ekonominë ukrainase.
“Një kapital i tillë është një investim i madh për stabilitetin tonë të përbashkët ekonomik dhe të ardhmen e sigurt”, shkroi Shmyhal, duke e cilësuar transhin si një faktor mirëbërës për gjithë Evropën.
Nga ana tjetër, Presidentja e KE-së, von der Leyen, bëri me dije se kjo paketë prej 1 miliardë eurosh, do të adresohet drejtpërdrejt në nevojat financiare të Ukrainës.
Kështu, duke e ndihmuar vendin në një fazë kyçe, tre muaj pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë.
Ndihma të mëdha kanë ardhur për Kievin edhe në aspektin ushtarak, përtej atij financiar, qoftë drejtpërdrejt me armatime dhe municione apo edhe me financimin e blerjes së armëve perëndimore.
SHBA-të mbeten kontributor kryesor në mbështetje të Ukrainës, me një paketë prej 40 miliardë dollarësh.
Shumica e kësaj pakete ka shkuar për ndihma ushtarake, por nuk mungon edhe ndihma konkrete financiare apo ajo ekonomiko-sociale e ndihma humanitare.
Nga ana tjetër, ndihmë për Ukrainën ka ardhur edhe duke sanksionuar më tej Moskën, në mënyrë që lufta e Kremlinit dhe agresioni të sprapsen nga territori lindor dhe jugor i Ukrainës.
Gjithsesi, Rusia nuk ka parë ndalesë në qëllimet e saj dhe konflikti vijon të mbetet i ashpër, kryesisht në Donbass.