Gjashtë menaxherë dhe administratorë të 6 magazinave në Tiranë janë vënë në prangat e policisë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin shisnin dhe shpërndanin mallra kontrabande.
Policia ka bërë me dije se të arrestuarit janë shtetasit Anxhela Dauti, 30 vjeçe, banuese në Tiranë, Manol Lekaj, 34 vjeç, banues në Tiranë, Bruno Sanija, 37 vjeç, banues në Tiranë, Eduard Gjura, 38 vjeç, banues në Tiranë, Kejvi Sulaj, 25 vjeç, banues në Tiranë dhe Bledar Çela, 44 vjeç, banues në Tiranë, administratorë dhe menaxherë të subjekteve të ndryshme.
Sipas uniformave blu arrestimi i këtyre shtetasve është bërë pasi dyshohet se në bashkëpunim edhe me individë që nuk kishin regjistruar bizneset, por dhe me subjekte të tjera tregtare kishin krijuar një skemë për tregtimin dhe transportimin e produkteve që futen dhe dalin nga Shqipëria, duke mos iu nënshtruar regjimit doganor dhe për rrjedhojë tregtohen duke shmangur detyrimet tatimore.
Ndër të tjera në kuadër të operacionit të koduar “ FAST DELIVERY”, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 magazina, me një sasi malli të konsiderueshme të dyshuar kontrabandë dhe të papajisura me faturë tatimore; 300 lloje të ndryshme produktesh industriale (si: veshje, parfume, medikamente mjekësore, vegla dhe materiale ndërtimi të cilat kapin një vlerë të konsiderueshme, afërsisht 1 milion euro) dhe shuma monetare të cilat ishin përfituar nga shitja e produkteve.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ FAST DELIVERY”, në kuadër të të cilit u arrestuan 6 shtetas.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, si rezultat i një pune dhe ndjekjeje intensive nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua operacioni i koduar “ FAST DELIVERY”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:
A.D., 30 vjeçe, banuese në Tiranë, M. L., 34 vjeç, banues në Tiranë, B. S., 37 vjeç, banues në Tiranë, E.Gj., 38 vjeç, banues në Tiranë, K.S., 25 vjeç, banues në Tiranë dhe B. Ç., 44 vjeç, banues në Tiranë, administratorë dhe menaxherë të subjekteve të ndryshme.
Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë pasi dyshohet se në bashkëpunim edhe me individë që nuk kishin rregjistruar bizneset, por dhe me subjekte të tjera tregtare kishin krijuar një skemë për tregtimin dhe transportimin e produkteve që futen dhe dalin nga Shqipëria, duke mos iu nënshtruar regjimit doganor dhe për rrjedhojë tregtohen duke shmangur detyrimet tatimore.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se mekanizimi i kësaj skeme ushtrohej fizikisht dhe nëpërmjet faqeve online si Instagram dhe Facebook, duke i shkaktuar një dëm të madh shtetit.
Nga kontrolli që është kryer në këto subjekte, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, është konstatuar se shumë prej pakove me destinacion blerësin nuk ishin të pajisura me kupon ose faturë tatimore sipas legjslacionit përkatës.
Kjo skemë u mundësonte personave ose subjekteve tregtare që e zhvillonin konkurencë të pandershme krahasuar me bizneset e rregullta.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
-6 magazina, me një sasi malli të konsiderueshme të dyshuar kontrabandë dhe të papajisura me faturë tatimore;
-300 lloje të ndryshme produktesh industriale (si: veshje, parfume, medikamente mjekësore, vegla dhe materiale ndërtimi të cilat kapin një vlerë të konsiderueshme, afërsisht 1 milion euro)
-shuma monetare të cilat ishin përfituar nga shitja e produkteve.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve sipërpërmendur, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, ”Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë”, kryer në bashkëpunim “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.