1 qershor hapet Kopshti Zoologjik, Veliaj: Më moderni në Ballkan

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar se më 1 qershor do të jetë hapja e Kopshtit Zoologjik në Tiranë.

Veliaj së bashku me një grup fëmijësh, inspektoi punimet që janë në fazën përfundimtare, për të mirëpritur më pas kafshët. Veliaj siguroi se Kopshti i ri Zoologjik do të jetë më moderni në Ballkan, pas lirimit të hapësirave të zaptuara.

“Mezi pres që në datën 1 qershor fëmijët të kenë këtu jo vetëm një mundësi për t’u njohur me kafshët, jo vetëm një mundësi për të kaluar një ditë shumë cilësore me familjen, por edhe një mundësi të shkëlqyer për të mësuar. Është ndoshta Kopshti Zoologjik më modern në Ballkan, i rikonceptuar plotësisht. Janë liruar hapësira nga zaptimi, ka më shumë hapësirë për kafshët. Ato kafazet e ngushta nuk ekzistojnë më, pra realisht ka një trajtim shumë më njerëzor sesa ato skenat që ne mbajmë mend nga Kopshti Zoologjik që trashëguam”, tha  ai.

Ndër të tjera, Veliaj thekson se ky kopësht do të kthehet në një hapësirë për të gjithë grupmoshat, duke nënvizuar edhe njëherë se janë mbjellë 1200 pemë.

“Kush prodhon histeri kur zhvendoset një pemë, thjesht duhet të qetësohet. Vërtet zhvendoset një, por mbillen 1200 të tjera. Unë them se duhet te mbaroje koha kur të gjithë bëjnë gjithologun. Secili te beje punën e tij dhe të lëmë profesionistët të bëjnë punë të mrekullueshme, si ajo punë që është bërë këtu. Jo çdo gjë që kemi bere në Tiranë është për notën 10 sepse ka ende shumë gjëra që duhen përmirësuar. Por si përmirësohen? Duke bërë llogje, duke sharë njëri-tjetrin, duke penguar ata që punojnë apo i përmirësojmë duke vënë çdo dite nga një tullë, duke mbjellë nga një pemë, duke rregulluar diçka, që Tirana që lëmë të jetë shumë herë me e mirë se ajo që gjetëm?”, u shpreh Veliaj.

Sakaq, Veliaj ka ftuar të gjithë ata të cilët deri më tani kanë qenë skeptik në lidhje me këtë kopësht, ku dhe i garanton se njëjta cilësi e lartë pune do të jetë edhe për Kopshtin Botanik.

“Ftesa për këdo që është skeptik, apo për këdo që, qoftë për çështje politike, apo çështje fushate, është përzierë në beteja kundër qytetit, të vijë ta shikojë vetë dhe të kuptojë se të njëjtën mrekulli mund ta bëjmë edhe në Kopshtin Botanik nëse i mbarojmë ato gjyqe, dhe ato zënka fare pa sens, që i humbasin shumë kohë qytetit. Ftesa është për bashkëpunim, që ky zhvillim dhe transformim qe shohim ketu, të behet edhe te Kopshti Botanik. Nuk ka asnjë arsye pse të jetë një vatër për fotografi nusesh me 5 mijë lekëshin e rojës. Ajo mund të jetë një hapësirë fantastike për gjithë qytetin”, tha ai.

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *