Një vit pasi përkrahësit e ish-Presidentit Donald Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara në një përpjekje për të penguar konfirmimin e fitores të presidentit Joe Biden në vitin 2020, qindra individë janë ende në pritje të procesit gjyqësor, nën dyshimet për rolin e tyre në trazira, ndërsa 155 të tjerë kanë pranuar fajësinë.
Zëdhënësja e shtëpisë së Bardhe Jen Psaki tha se Presidenti Joe Biden do të fajësojë Donald Trump për trazirat në Kapitol Hill. Sipas saj, Biden do të thotë para Kongresit se paraardhësi i tij mban “përgjegjësi të veçantë” për “kaosin dhe masakrën”.
Teksa nderoi në heshtje 5 oficerët që humbën jetën gjsatë sulmit të një viti më parë, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland u zotua të bëjë përgjegjës këdo që ishte i përfshirë në sulmin vdekjeprurës në Kapitol.
Departamenti i Drejtësisë, i kryesuar nga Garland, ka akuzuar më shumë se 725 persona për krime që lidhen me trazirat, duke filluar nga sjellja e çrregullt, sulmi ndaj policisë e deri te konspiracioni. Nga këta njerëz, rreth 165 janë shpallur fajtorë dhe të paktën 70 janë dënuar.
‘Departamenti i Drejtësisë mbetet i përkushtuar për të bërë përgjegjës sipas ligjit të gjithë autorët e 6 janarit, në çdo nivel, – qofshin ata të pranishëm atë ditë ose ishin penalisht përgjegjës për sulmin ndaj demokracisë sonë’, tha Garland në një fjalim.
Garland tha se puna e departamentit të tij nuk ka përfunduar ende. Çështjet penale të profilit të lartë të ngritura deri më tani përfshijnë disa kundër anëtarëve ose bashkëpunëtorëve të grupeve të ekstremit të djathtë si Proud Boys, Oath K.
Ndërkaq, një vit pas sulmit, rreth Kapitol Hill është forcuar siguria, por ligjvënësit thonë se kërcënimet themelore mbeten ende.
/Priza.al/