Në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër gjatë seancës për masën e sigurisë shtetasi Bekim Gurra i cili është “koka e grupit” në grabitjen e bankës në Koplik nuk ka folur, por i riu nga Malësia e Madhe ka zbardhur detaje në lidhje me ngjarjen.
Në dëshminë e zbardhur nga Priza.al, i riu tregon se familja e tij është në vështirësi ekonomike dhe se paratë e grabitura sipas tij i ka shpenzuar në Shkodër dhe Tiranë në klube të ndryshme, ndërsa familjes i ka dhënë një shumë prej 500 mijë lekë të vjetër.
Dëshmia e Plotë:
Unë jetoj me dy prindërit dhe dy vëllezërit. I vetmi krah pune në familje është babai dhe jemi në vështirësi ekonomike për të siguruar jetesën. Duke qenë në këto kushte mua më ka lindur mendimi që të grabisja filialin e bankës Koplik. Këtë gjë e kam biseduar me Admir Shaba dhe Armir Shabaj. Me këto dy persona kam lidhje të largët. Takohesha shpesh me to dhe më thanë se do të mbështesim për këtë punë. Unë i thashë se do gjej një mjet në zonën e Kosanit, sepse aty lëvizin shumë mjete pa targa dhe një muaj përpara kam vjedhur aty mjetin tip GOLF 3. Pas një muaji kemi shkuar bashkë me Admirin dhe Armirin drejt bankës dhe kemi bërë 6 xhiro dhe më pas e kam fshehur sërish makinën tek i njëjti vend në pyll. Më pas kemi folur për maskat dhe armët. Unë kam pasur prej kohësh një pushkë njëzetëshe karabinë dhe një armë zjarri automatik i shkurtër. Me datë 9 kam shkuar tek shtëpia e Armirit dhe Admirit për ta realizuar atë ditë vjedhjen e bankës dhe ata më thanë se kanë edhe një shokun e tyre të besuar. Unë i thashë se do futemi në bankë vetëm për të marrë lekët dhe se armët nuk do përdoreshin dhe se nëse policia do vinte do dorëzoheshim.
Nuk kishim ndonjë plan konkret, por do vepronim sipas situatës. Kemi shkuar rreth orës 14:00 dhe jemi futur brenda bankës dhe ata u frikësuan. Armiri shkoi dhe mori vlerat monetare ndërsa Admiri qëndroi në rolin e shoferit. Kemi ikur dhe tek rrethrrotullimi i Bajzës u futëm shumë shpejt duke rrezikuar jetën dhe aty na u ça goma. Kemi zbritur dhe unë kam djegur makinën me benzinë. Më pas kemi ndal makinat e rastit, mjeti i parë që i drejtuam armën nuk u ndal ndërsa mjeti i dytë po. Më pas kemi shkuar drejt Sheganit dhe aty kemi zbritur. Unë mora rrugën në Shegan i vetëm ndërsa Admiri, Armiri dhe personi tjetër në drejtime të ndryshme. Unë kam marrë armën, çantën e rrobave dhe kam shkuar në vendin e quajtur Shegan poshtë. Lekët i kanë patur tre të tjerët. Armët i hodha në ujë në vendin e quajtur Hurdllana, ndërsa çantën e kam djegur. Shkova në shtëpi bëra një dush dhe dola në lagje. Pas dy orësh shkuam në një kodër të katërt dhe ndamë paratë. Kanë qenë 10 mijë euro, 4-5 milion të vjetër dhe 300-440 dollarë. Pasi ndamë paratë jemi shpërndarë. Jemi takuar më pas, por kemi bërë biseda të zakonshme nga frika se na dëgjon kush. Unë i kam shpenzuar lekët duke dalë me shoqërinë në Shkodër dhe Tiranë. 500 mijë lekë të vjetër ia dhashë prindërve, por pa i thënë se ku i kam gjetur. Kam qenë në Tiranë disa herë nën shoqërinë e një vajze.