Një këshilltar i lartë i presidentit të Ukrainës, duke cituar shefat e ushtrisë së vendit, tha se 10,000 deri në 13,000 ushtarë ukrainas janë vrarë në luftën nëntë-mujore kundër agresionit të Rusisë.
Ky është një rast i rrallë që zyrtarët ukrainas japin shifra për viktimat e luftës dhe ato janë shumë më të ulëta sesa vlerësimet e perëndimit.
Shifrat e reja u dhanë mbrëmë vonë nga Mykhailo Podolyak, këshilltar i lartë i presidentit Zelenskyy. Sipas tij numri i trupave të plagosura është më i lartë dhe numri i viktimave civile është “i konsiderueshëm”.
“Kemi shifra zyrtare nga shtabi i përgjithshëm, kemi shifra zyrtare nga komanda e lartë dhe ato arrijnë në 10,000 deri 12,500-13,000 të vrarë”, tha zoti Podolyak në një intervistë televizive.
Ushtria ukrainase nuk i ka konfirmuar shifrat. Hera e fundit kur zyrtarët ukrainas kanë folur për shifrat ka qenë në fund të gushtit, kur kreu i forcave të armatosura tha se ishin vrarë rreth 9000 trupa. Në qershor, zoti Podolyak tha se çdo ditë po vriteshin deri në 200 ushtarë, në disa prej luftimeve më intensive.
Të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se fillimisht se numri i trupave ukrainase të vrara ishte 100,000, por më pas zyra e saj i korrigjoi komentet – duke thënë se kjo shifër përfshinte edhe të plagosurit.
Muajin e kaluar, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Mark Milley, tha se deri në atë kohë ishin vrarë, ose plagosur rreth 40,000 civilë ukrainas dhe “mbi 100,000 ushtarë rusë”. Ai shtoi se shifrat për ushtrinë ukrainase mund të ishin të ngjashme.
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut, në përditësimin e saj të fundit javor të hënën, tha se kishte regjistruar 6,655 civilë të vrarë dhe 10,368 të plagosur, por ka pranuar se raporti i saj përfshin vetëm viktima që ka konfirmuar zyra vetë dhe se shifrat aktuale mund të jenë shumë më të larta.
Forcat ruse vazhdojnë sulmet me raketa ndaj infrastrukturës dhe sulme ajrore kundër pozicioneve të trupave ukrainase, tha të premten shtabi i përgjithshëm ukrainas, duke shtuar se ofensiva ushtarake e Moskës është përqendruar tek disa qytete, përfshirë Bakhmutin dhe Avdiivkas – objektiva kyçe për Rusinë në lindjen e vendit.
Zyra e presidentit ukrainas raportoi të premten se të paktën tre civilë u vranë dhe 16 u plagosën në Ukrainë gjatë 24 orëve të fundit dhe se forcat ruse kishin sulmuar nëntë rajone në juglindje të Ukrainës duke përdorur artileri të rëndë, raketa dhe avionë.