Në Kiev, presidenti i Ukrainës Zelensky ka kujtuar ditën e 100-të të luftës me një video prekëse por edhe sfidues, njësoj si ditën e parë të luftës.
Në video presidenti ukrainas thotë se: Forcat e armatosura të Ukrainës janë gjithashtu këtu , njerëzit e kombit tonë janë këtu. Ne po mbrojmë Ukrainën për 100 ditë tashmë. Fitorja do të jetë e jona. Lavdi Ukrainës!.
Më 25 shkurt, një ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj, presidenti postoi një video të ngjashme sfiduese- nga i njëjti vend, pra para selisë së presidencës.
Në videon e para 100 ditëve ai iu përgjigj thirrjes së perëndimit me një ironi duke sfiduar Rusinë. Sapo kishte refuzuar ofertat e Perëndimit për t’u evakuuar nga Kievi, Zelensky tha :”Unë kam nevojë për municion, jo për një udhëtim”.
Tani, 100 ditë më vonë, ai mbetet me të njëtin qëndrim ndërsa lufta vazhdon. Por disa orë më vonë OKB reagoi duke thënë se në këtë konflikt nuk ka fitues.
“Kjo luftë nuk ka dhe nuk do të ketë fitues. Përkundrazi, ne kemi dëshmuar për 100 ditë cfarë ka humbur: jetë, shtëpi, punë dhe perspektiva,” tha Amin Awad, koordinatori i Krizave të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën.
“Ne kemi nevojë për paqe. Lufta duhet të përfundojë tani”, është shprehur ai.
Për herët gjatë ditës OKB-ja tha se do të dërgojë tre ekspertë të të drejtave të njeriut në Ukrainë më vonë këtë muaj për të hetuar shkeljet dhe abuzimet e supozuara.
Komisionerët, të cilët janë anëtarë të komisionit të pavarur ndërkombëtar të OKB-së për hetimin mbi Ukrainën, do të vizitojnë disa vende, duke përfshirë qytetet Lviv, Kiev, Kharkiv dhe Sumy, nga 7 deri më 16 qershor. Ata do të takojnë familjarë të viktimave, dëshmitarë dhe njerëz që janë zhvendosur, si dhe zyrtarë qeveritarë, tha OKB në një deklarat
Por si e kanë ndryshuar Rusinë 100 ditët e luftës.
Analisti i njohur dhe redaktori i BBC në Moskë Steve Rosenberg ka thënë se 100 ditët e fundit nuk e kanë shkatërruar vetëm Ukrainën. Ata kanë ndryshuar Rusinë.
Rosenberg thotë se: Moska ndihet si një vend tjetër. Ikën organet e pavarura të lajmeve që lexoja , shikoja dhe dëgjoja; ose i bllokuan ose i mbyllën.
Shumë nga dyqanet dhe kafenetë perëndimore që dikur mbushnin qendrat tregtare këtu janë zhdukur. Qindra kompani ndërkombëtare janë tërhequr nga Rusia në shenjë proteste ndaj pushtimit.
Atë që e gjen me shumicë në Rusi është propaganda.
Nga mëngjesi në mbrëmje, TV shtetëror rus siguron shikuesit se ajo që trupat ruse po bëjnë në Ukrainë është e nevojshme, e pashmangshme – dhe jo një luftë. Kremlini ende i qëndron pretendimit të tij se ky është një ‘operacion ushtarak’ i kufizuar, i krijuar për të luftuar nazistët, ultra-nacionalistët dhe për të sjellë paqen dhe çlirimin në Ukrainë.
Ekonomia ruse nuk ka rënë nën presionin e sanksioneve. Por vendi më i madh në botë tani nuk është në gjendje të importojë shumë nga mallrat. Embargoja e naftës e BE-së pritet t’i kushtojë Moskës miliarda dollarë të ardhura të humbura nga eksporti.
Ukraina ka deklaruar se nuk planifikon të përdorë sistemet e avancuara të raketave lëshuese të shumëfishta që po merr nga SHBA për të goditur objektivat brenda Rusisë.
Këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak tha se vendi i tij po bënte një luftë mbrojtëse – duke thënë se vendet që e kishin furnizuar Ukrainën me pajisje “e dinë se ku përdoren armët e tyre”.
Ndërsa të premten iderët e BE-së kanë shprehur solidarizim me Ukrainën 100 ditë pas luftës. “100 ditë më parë Rusia nisi luftën e saj të pajustifikueshme kundër Ukrainës. Trimëria e ukrainasve kërkon respektin dhe admirimin tonë,” shkroi Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit të BE-së.
“BE është e bashkuar dhe do të bëjë gjithçka që mundet për t’i dhënë fund kësaj lufte katastrofike,” shkroi Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
Alar Karis, presidenti i Estonisë , shkroi në Tëitter: “100 ditë vdekje, përdhunim, shkatërrim dhe mjerim. Çdo ditë lufte në Ukrainë është një ditë e tepërt. Do të duheshin vetëm orë që Rusia të hedhë armët dhe të ndalojë këtë tmerr.”
Presidenti letonez Egils Levits tha: “Ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të ndihmuar Ukrainën të rezistojë dhe të fitojë këtë luftë”.