Ambasadorja Yuri Kim folur mbrëmjen e djeshme thirrjen që kryeministri Edi Rama i bëri SPAK-ut për të hetuar Sali Berishën dhe Ilir Metën.
E ftuar në emisionin “Open”, Kim pohoi se nuk është nevoja të përmenden emra specifikë por nevoijitet një sistem drejtësie për të zbatuar ligjin në mënyrë të barabartë për të gjithë, si dhe askush mos të jetë mbi ligjin.
Pjesë nga biseda në studio:
Eni Vasili: A është Shqipëria në rrugën e duhur për ngritjen e këtyre institucioneve për të cilat ju folët?
Ambasadorja Kim: Kjo është një rrugë shumë e vështirë por ne besojmë se jeni në rrugën e duhur dhe e shihni këtë të reflektuar në raportimet tona, e shihni të reflektuar në progres-raportet e BE-së. Sigurisht, edhe një herë, nuk do të thotë se çdo gjë është 100% dhe çdo gjë shkon sahat. Është e qartë që ka fusha ku duhet përparim dhe prandaj themi se, për shembull për reformën në drejtësi, nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por patjetër po bën përparim.
Eni Vasili: E kuptoj dhe meqenëse jemi këtu tek reforma në drejtësi, dhe sigurisht, pritshmëria e qytetarëve Shqiptarë, edhe për faktin se ajo është mbështetur shumë nga ju, ka vërtetë pritshmëri shumë të mëdha, le të ndalojmë. Kryeministri Rama ditët e fundit ka bërë disa deklarata, akuza le t’i quajmë, kritika të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar që të hetojnë kundërshtarët politikë, Berisha dhe Meta. Çfarë do ta konsideronit ju këtë, një shkundje ekstreme, të justifikuar, apo ka diçka që nuk shkon tek ndarja e pushteteve, një shkelje nëse mund ta quajmë të tillë?
Ambasadorja Kim: Fola për këtë pak ditë më parë, kur Ministri i Drejtësisë përsëriti atë që kishte thënë Kryeministri. Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është se kur shohim reformën në drejtësi, do ta dimë se vërtet ka pasur sukses kur të mos quhet më normale apo me vend që udhëheqësit politikë, qofshin në pushtet apo larg pushtetit, por sidomos nëse janë në pushtet, të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të individëve specifikë. Ajo që duam të shohim nuk është përmendja e emrave specifikë, por një sistem drejtësie të ngritur dhe institucione që kanë si vullnetin ashtu edhe aftësinë për të zbatuar ligjin, barabar, për këdo, në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin. Ligji të aplikohet barabar. Ndaj, pres me kënaqësi ditën kur mund ta kemi këtë besim tek sistemi i drejtësisë i Shqipërisë, tek prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë.