Çfarë është suksesi në karrierë? Secili nga ne e përcakton ndryshe. E vetmja gjë që na bashkon të gjithëve, duke patur parasysh kohën që kalojmë në punë, është të paktën të na pëlqejë ajo që bëjmë çdo ditë. Jeta është ose shumë e gjatë ose shumë e shkurtër për të kaluar kohë në një punë që e urrejmë. Ne gjithashtu duam të vlerësohemi nga shefat dhe bashkëpunëtorët tanë dhe duam të shmangim stresin e punës. Më poshtë janë 11 këshilla që mund t’ju ndihmojnë për të patur sukses në karrierën tuaj.
Zgjidhni profesionin me zgjuarsi
Para se të vendosni të ndiqni një profesion të caktuar, bëjini vetes këtë pyetje: “A e shoh veten duke e bërë këtë punë gjatë gjithë ditës, çdo ditë, për shumë vite?” Kur zgjidhni një profesion, sigurohuni që është në përputhje me personalitetin tuaj, interesat, aftësitë dhe vlerat që lidhen me punën.
Mos lejoni që dikush t’ju tregojë se cila zgjedhje është më e mira për ju
Injoroni ata që thonë: “Zgjidh këtë fushë sepse të ofron shumë mundësi këto kohë”, ose “Do të fitosh shumë para, kështu që nuk ka rëndësi nëse e urren punën tënde”, apo “Më pëlqen ky profesion dhe jam i sigurt që do të të pëlqejë dhe ty”. Edhe pse këta njerëz mund të kenë synim të mirë, këto deklarata janë ndër mitet e shumta në lidhje me zgjedhjen e profesionit. Të gjithë harrojnë një gjë të rëndësishme: zgjedhja juaj për atë profesion është një vendim personal që do të ketë një efekt domethënës në jetën tuaj për shumë vite.
Matni suksesin tuaj
Si e përcaktoni suksesin? Nga paga që merrni apo nga fakti që keni një zyrë tuajën? Është ndjesia që ju shkaktohet kur e dini se keni bërë një punë të shkëlqyer apo ndjesia që keni kur e dini që keni ndihmuar dikë? Ndoshta për ju suksesi është të lini punën në orarin e caktuar për të kaluar kohë me familjen tuaj. Meqenëse secili prej nesh mat suksesin ndryshe nga tjetri, ju jeni i vetmi që mund të vendosni se çfarë do të thotë sukses për ju.
Mos kini frikë të kërkoni ndihmë
Ju nuk i dini të gjitha. Ka njerëz me më shumë përvojë se ju, dhe me atë përvojë vjen njohja. Keni nevojë për kolegë me përvojë, përveç bashkëmoshatarëve tuaj. Vendosni një marrëdhënie me një mentor i cili mund t’ju drejtojë në karrierën tuaj. Përveç këshillimit për mënyrën se si të përparoni, një mentor mund t’ju ndihmojë të mësoni për një profesion që po vlerësoni dhe të zgjidhni problemet në punë.
Gjithmonë falenderoni njerëzit që ju ndihmojnë
Mund të duket e thjeshtë të falenderoni ata që ju ofrojnë ndihmë, por është vërtet një gjest domethënës. Pavarësisht nëse dikush ju jep pesë minuta nga koha e tij ose ju prezanton me një punëdhënës të mundshëm, është e rëndësishme t’i tregoni atij personi se kjo do të thotë diçka për ju. Dhe kur ata ose dikush tjetër ka nevojë për ndihmë, kthejuni favorin.
Pranoni gabimet tuaja
Të gjithë bëjnë gabime. Edhe nëse përpiqeni shumë të mos bëni, në një moment kjo do të ndodhë. Sigurisht, ju do të bëni të pamundurën për të mos bërë gabime të rënda, por ndonjëherë ato ndodhin, pavarësisht përpjekjeve tuaja më të mira. Ndërsa instinkti juaj mund t’ju thotë të ikni dhe të fshiheni, kjo është gjëja më e keqe që mund të bëni. Pranimi i gabimit tuaj, gjetja e një mënyre për ta rregulluar atë ose të paktën, ndërmarrja e një veprimi që zbut efektet e tij, do të ndihmojë në rikthimin e reputacionit tuaj.
Bëhuni motivuesi i vetes juaj
Nëse nuk jeni ju motivuesi më i madh i vetes juaj, kush do të jetë? Krenohuni për të gjitha sukseset dhe cilësitë tuaja pozitive. Mos prisni që dikush tjetër t’ju thotë “punë e shkëlqyer!” Reflektimi i arritjeve tuaja do t’ju nxisë të arrini edhe të tjera më të mëdha.
Mos e nënvlerësoni veten tuaj
Shpesh, një zë i vogël brenda kokës suaj do ju pëshpërisë që nuk jeni aq i aftë. Ky është zëri që duhet ta injoroni. Për fat të keq, do të ketë shumë njerëz mjaft të gatshëm për t’ju ulur. Të paktën, mos ia bëni vetes këtë. Nëse ju mungon një aftësi ose keni ndonjë mangësi tjetër, merrni masat e nevojshme për t’u përmirësuar.
Asnjëherë mos u ndjeni sikur keni ngecur
Pavarësisht se sa i kujdesshëm jeni në zgjedhjen e karrierës ose punës “së duhur”, një ditë mund të dëshironi të bëni një ndryshim në karrierën tuaj. Ndoshta do të rendisni në mendjen tuaj një mori arsyesh për të mos e bërë këtë ndryshim, por konsiderojeni gjithsesi.
Mbani larg qëndrimin negativ
Disa njerëz shohin vetëm anën negative të gjërave dhe gjithmonë gjejnë diçka për të cilën të ankohen. Mos u bëni ai person. Një qëndrim negativ shteron energjinë tuaj. Mos i injoroni problemet, por në vend që të ankoheni, kërkoni mënyra për t’i rregulluar ato.
Dëgjoni më shumë se flisni
Mund të mësoni shumë duke dëgjuar. Nëse shefi juaj po ju shpjegon një projekt është e rëndësishme të kuptoni se çfarë po thotë ai. Dëgjimi i kujdesshëm do të parandalojë keqkuptimin dhe do t’ju ndihmojë të ndërtoni raporte të mira me të tjerët.
Të keni një karrierë të suksesshme ka të bëjë më pak me atë që vendosni të bëni, dhe më shumë rreth asaj se si e bëni. Praktikoni këto 11 këshilla për të patur sukses në karrierën tuaj, pavarësisht se cila do të jetë apo është rruga juaj e karrierës.
Burimi: thebalancecareers.com