Ka nisur në Vlorë ceremonia e ngritjes së flamurit me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë.
Të pranishëm në ceremoni janë kreu i shtetit Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e figura të tjera të larta të shtetit.
Kremtimet e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të mbyllen në kryeqytet me një koncert në sheshin Skënderbej, të këngëtares me famë botërore Dua Lipa, e cila dje mori shtetësinë shqiptare nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj.
Vlora është qyteti ku më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin shqiptar duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Kujtojmë se një ditë më parë në parlamentin e Shqipërisë u zhvillua seanca e parë e përbashkët e dy kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës.