114-vjeçares nuk i dhanë pensionin se i kishte kaluar mosha? Reagon ISSH: Ja pse ju vonua

Institucioni i Sigurimeve Shoqërore ka reaguar në lidhje me rastin e të moshuarës Qamile Marra, e cila deklaroi sot se nuk e ka marrë pensionin.

Në një prononcim për media, ISHS shprehet se pensionin e muajit dhjetor ka shkuar ta tërheqë më 10 janar, por i kanë kërkuar dokumentet e nevojshme si kartën e identitetit dhe certifikatën.

Bëhet me dije se tashmë e moshuara i ka dërguar mjetet e idnetifikimit dhe postieri i ka dërguar pensionin.

NJOFTIMI i ISSH:

Sqarim i Institutit të Sigurimeve Shoqërore‼️

Nisur nga rasti i publikuar së fundmi në media në lidhje me zonjën Qamile Metan Marra e moshës 114 vjeçe, pensioniste, ju sqarojmë se:

ISSH, për çdo pagesë që kryen realizon dhe saktësinë e pagesave nëpërmjet kontrolleve të vazhdueshme. Bazuar në analizën e riskut, në mënyrë periodike strukturat rajonale kontrollojnë gjallesën e përfituesve mbi 100 vjeç nëpërmjet kontrollit dyfish, atë të statusit në regjistrin e shtetasve dhe kontaktimit fizik të përfituesve. Kjo edhe për faktin që të gjithë pensionistët mbi 100 vjeç, autorizojnë persona të tjerë për të tërhequr pensionin.

Në këtë kuadër është kryer edhe verifikimi për zonjën Qamile Marra dje në datën 26 Janar dhe nga ana e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Berat po dje është gjeneruar pagesa. Sot në datën 27 janar është kryer pagesa e pensionit të zonjës pranë banesës nga ana e Postës Shqiptare si agjent pagues.

Theksojmë se vonesa në pagesën e pensionit të zonjës, për shkak të verifikimit, është 6 ditë dhe aludimet se pensioni është ndërprerë për shkak të moshës së lartë nuk janë të vërteta madje janë dashakeqe.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore i uron jetë të gjatë zonjës Qamile dhe të gjithë pensionistëve përfitues dhe shpreh angazhimin për zbatimin me korrektësi të ligjit për pagesat dhe kontrollet e tyre.

Kujtojmë se ditën e sotme Qamile Marra 114 vjeçe, doli në të gjitha mediat dhe deklaroi se i kanë ndaluar dhënien e pensionit me pretendimin se i ka kaluar mosha. E moshuara është nga fshati Ferras i Kuçovës dhe familjarët e saj kanë hasur vështirësi në marrjen e pensionit të pleqërisë. Djali i saj, Hysen Marra, tha për gazetarët se në muajin Janar 2023, nëna e tij nuk e ka marrë dot pensionin mujor prej 7700 lekësh sepse e kanë bërë të vdekur. Sipas tij, familjarët duhet të deklarojnë në zyrat e Gjendjes Civile Kuçovë nëse është gjallë apo jo nëna e tyre çdo fillim viti. Këtë gjë ata thanë se nuk e kanë ditur si procedurë, ndaj nuk u ka shkuar pagesa e pensionit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *