Aktori fitues i Oskar, Kevin Spacey do të akuzohet për katër vepra penale të regjistruara si abuzime seksuale ndaj tre burrave në ishull, këtë gjë e kanë konfirmuar Prokurorët në Britaninë e Madhe.
Spacey akuzohet gjithashtu për detyrimin e një personi për tu pëfshirë në aktivitet seksual depërtues pa pëlqimin e këtij të fundit.
Rosemary Ainslie, kreu i divizionit të posaçëm të krimit në Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës, tha se akuzat ishin autorizuar pas një shqyrtimi të provave të mbledhura nga Policia Metropolitane gjatë hetimit të saj.
Sipas prestigjiozes “The Times”, ajo tha: “Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës i kujton të gjithë të prekurve mbi çështjen se procedimet penale kundër zotit Spacey janë aktive dhe se ai ka të drejtën për një gjykim të drejtë”.
Spacey akuzohet për dy sulme seksuale kundër viktimës së parë të supozuar në Londër në mars të vitit 2005.
Ai gjithashtu akuzohet për abuzim seksual ndaj një burri të dytë dhe se e ka detyruar atë të përfshihej në aktivitet seksual depërtues pa pëlqim në Londër në gusht 2008.
Një burrë i tretë ka pretenduar se Spacey e sulmoi seksualisht atë në Gloucestershire në prill të vitit 2013. Çështja nuk është renditur ende në një gjykatë të Magjistraturës.
Aktori amerikan, i cili ishte drejtor artistik i teatrit “Old Vic” të Londrës nga viti 2003 deri në 2015, besohet të jetë jashtë vendit. Ndërkohë, Policia Metropolitane konfirmoi se ai ende nuk ishte akuzuar zyrtarisht.