Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me dënimin me 12 vite burg në Belgjikë të Ramazan Rrajës, nipin e deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.
Ramazan Rraja u shpall fajtor nga trupi gjykues për trafik kokaine, si pjesë e një grupi të organizuar kriminal.
Gjatë gjykimit, Prokuroria Publike e kishte cilësuar këtë grup kriminal si një organizatë kriminale “të lartë” që nxirrte fitime të mëdha nga kontrabanda dhe trafikimi i kokainës. Si prova për këtë, prokuroria mori para, drogë dhe katër orë luksoze.
Por si arriti Prokuria të siguronte provat?
Falë pajisjeve të përgjimit që kishin vendosur, u zbulua se organizata mund të kishte lidhje me tre grupe kokaine. Hetuesit kanë mundur të përgjojnë bisedat telefonike, ku Rraja fliste me kreun e grupit, njëherazi dhe bashkëpunëtori i tij, Kaspars N. për një kontejner me banane që tashmë ishte kontrolluar nga dogana dhe kishte kaluar në mënyrë të sigurtë.
Ndërkohë, gjatë një kontrolli të ri, doganierët gjetën në tavanin e koshit një grumbull prej 57 kilogramësh kokainë. Herë pas here, kjo drogë dërgohej edhe drejt Ekuadorit.
Gjithashtu, nga telefonat celularë të anëtarëve të bandës u siguruan materiale fotografike për hetuesit. Shtretër hotelesh plot me para, foto jahtesh luksoze dhe orë me vlerë 655 mijë euro.