Nga njësia 3 në kryeqytet, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Tiranë iu rikthye protestës së disa banorëve që preken nga procesi i rindërtimit tek lagjja “5 Maji”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj këtë të diel solli në vëmendje edhe një herë banorët e zonës së “5 Maji” që preken nga procesi i rindërtimit.
I pari i qytetit u garantoi banorëve se do të kenë mbështetjen e pushtetit vendor duke u mbuluar shpenzimet e qeras deri sa banesat e tyre te reja të përfundojnë.
Veliaj solli një shembull mjaftë konkret që lidhej me dëgjimin e banorëve të kësaj lagje edhe pse kishin zaptuar tokën dhe pronarin ligjërisht ishte deputetja socialiste.
“Kur Nënë Liza shkoi në Parlament për t’u ankuar, sipas saj, për projektin e rindërtimit te “5 Maji”, njerëzit nuk e dinin që, në fakt, personi që dëgjonte me durim pretendimet e saj pse duhej lejuar zaptimi dhe pse nuk duhej lejuar zhvillimi, ishte vajza e pronarit që Nënë Liza i kishte zënë pronën (Klotilda Ferhati-Bushka). Vetëm një socialiste mund ta dëgjojë me durim zaptuesin e pronës së saj dhe të thotë se kjo është demokracia. Ne do e dëgjojmë edhe zaptuesin, edhe histerikun, edhe gjithologun, por në fund vendos shumica. Kjo nuk do të kishte ndodhur po të ishte dikush tjetër në atë pozicion. Imagjinoni sikur në vend të Klotildës të ishte ndonjë nga ata të SHQUP-it, me qysqi, me kokëdash e vare! Aty do kishte plasur sherri, e jo më ta dëgjonin me respekt. Mandej, kur pashë fotografinë e Nënë Lizës që përqafohej me drejtorin e IMT-së, që po kryente pastrimin e territorit, mendova se me pak durim, kryesisht të Klotildës, çdo njeri e kupton se do të jetojnë edhe ata që kanë zaptuar, por edhe ata të cilëve u është prishur shtëpia nga tërmeti dhe nuk i kanë rënë në qafë askujt”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë shtoi se zgjedhjet në PS janë edhe një fushatë komunikimi me qytetarët.
“Zgjedhjet në PS zgjojnë një interest ë veçantë te qytetarët. Në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar rreth 80 parti. Për 79 të tjerat, nuk i bëhet vonë njeriu sepse e dinë që s’kanë për të fituar kurrë. A ka ndonjë kuriozitet se çfarë do të ndodhë në 25 korrik me LSI-në? Do ikë gruaja, do vijë burri! Nëse do kapin ndonjë variant tjetër, atëherë do ikë burri, do vijë gruaja! Po s’ka ndonjë kuriozitet, se aty dihet, qepenin do e hapë o njëri, o tjetri! A ka njeri kuriozitet për zgjedhjet e Partisë Demokratike? Mund të ketë ndonjë kuriozitet të tipit: kush do rrahë kë? Kush do djegë kë? Kush është me qysqi e kush është me vare? Kurse kur votohet në Partinë Socialiste, patjetër që ka kuriozitet, edhe nga ata që nuk janë anëtarët tanë, edhe nga ata që janë fare të paangazhuar sepse PS është partia që do qeverisë qytetin dhe vendin”, theksoi Veliaj.
Deklaratat Veliaj i bëri gjatë një takimi me anëtarët e Asamblesë së PS të Njësisë 3, ku e pranishme ishte edhe deputetja Klotilda Bushka (Ferhati). Partia Socialiste, në përfundim të procesit të riorganizimit të brendshëm, synon ripërtëritjen dhe rienergjizimin e çdo strukture të saj nëpërmjet bashkëkryesisë, ku gratë dhe vajzat kanë një mundësi më shumë për të fuqizuar rolin dhe zërin e tyre në strukturën organizative të PS.