13 persona janë vrarë dhe të tjerë janë plagosur në një seri shpërthimesh në qytetin e Donetskut, të drejtuar nga separatistët në Ukrainën lindore, ka bërë të ditur kryebashkiaku i cili është vendosur nga Rusia, shkruan BBC-ja sot.
Alexei Kulemzin fajësoi sulmet e Ukrainës për vdekjet, ndërkaq nuk ka asnjë koment nga zyrtarët ukrainas.
Donetsku është kontrolluar nga autoritetet përfaqësuese të Rusisë që nga viti 2014.
Ata kanë akuzuar vazhdimisht forcat ukrainase për shënjestrimin e qytetit.
Udhëheqësi vendas Denis Pushilin akuzoi Ukrainën për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve në një stacion autobusi, një dyqan dhe një bankë.
Edhe pse forcat ruse kanë kapur zona të rajonit të Donetskut më në jug që nga fillimi i pushtimit në shkurt, ato kanë luftuar për të larguar ushtrinë ukrainase nga periferitë e vetë qytetit.
Forcat ukrainase kanë nisur kundër-ofensiva në jug, si dhe në veri-lindje, dhe përparimi i tyre më dramatik ka ardhur këtë muaj në rajonin verior të Kharkiv.