Kur kanë kaluar 13 vite nga tragjedia e Gërdecit, familjarët e 26 viktimave janë ende në kërkim të drejtësisë. Sot asnjë prej fajtorëve nuk është prapa hekurave, dhe kjo për familjarët e të ndjerëve është shumë e rëndë.
Sot, në 15 mars, ata kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ku theksin e vënë pikërisht te drejtësia e munguar. Fajtore bëjnë të gjithë politikën, por edhe drejtësinë e re, sipas së cilëve ajo u sprovua dhe në fund rezultoi se dështoi.
Deklarata e tyre është e fortë ku iu drejtohen drejtpërdrejtëve autorëve të kësaj tragjedie.
“Sot, ne familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, i themi vrasësve që pavarësisht se mund të mendojnë që i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë apo me ndonjë ambasadë, ata nuk i kanë mbyllur hesapet me ne dhe me popullin e thjeshtë të këtij vendi. Njohja e krimit dhe vënia e drejtësisë në vend i bën nder atyre që e bëjnë këtë dhe na vë në paqe ne viktimave të krimit. Njohja e krimit është hapi i parë i njerëzillëkut, ndëshkimi i tij i shërben drejtësisë dhe nxjerrja e leksioneve i shërben të ardhmes sonë të përbashkët. Deri atëherë, me mend në kokë o popull i thjeshtë i këtij vendi”, shkruhet në deklaratë.
Ishte data 15 mars, në orën 12:05 minuta kur një shpërthim i fuqishëm në punishten e demontimit të armëve në Gërdec, i mori jetën 26 personave dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur.
Deklarata e plotë
Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit gjen rastin sot, në vitin e 13-të
përkujtimor të tragjedisë së Gërdecit, të falenderojë dashamirësit që nga afër ose nga larg na japin
kurajo për të vazhduar jetën dhe për të çuar luftën tonë për të drejtën deri në fund. Tashmë 15 marsi
është bërë një ditë symbol për të vlerësuar drejtësinë, politikën dhe njerëzillëkun.
Drejtësia u sprovua dhe dështoi. Pavarësisht se disa persona u dënuan, ata tashmë i lanë duart nga
drejtësia dhe shumë të tjerë nuk u hetuan. Dëgjuam lloj-lloj emrash kafshësh që u përfolën, që lanë
gjurmë mbi letra e fakse, por nuk pati askush kurajon të hetonte e ta zbardhte ngjarjen. Drejtësia e la të
pagjykuar edhe ish ministrin që sot kandidon për deputet. Pra, drejtësia nuk kapi as baxhanakët e
djeshëm dhe as kunetërit e sotëm. Madje drejtësia ngatërroi edhe emrin e personit që i vuri zjarrin
barutit. Drejtësia i la të lirë t’i ktheheshin biznesit apo politikës, që të ndërtojnë pallate për të qerasur
politikën dhe kjo e fundit të qeverisë rehat pallatet. Jetët e humbura në 15 mars 2008 nuk kthehen më,
por drejtësia mund të vendosej, me hir ose pahir. Me refome drejtësie apo jo. E megjithatë, “ortakëria
politike” nuk deshi të bëhej drejtësi.
Dhe këtu vijme të e dyta. Politika. Ajo u vu në sprovë dhe dështoi. Nuk u nxor asnjë leksion nga kjo
tragjedi. Ligjet nuk u rishikuan për të mos lënë më të ndodhin ngjarje të tilla. Ligjet nuk u rishikuan për të
bërë të mundur që hetimet të bëhen ashtu sic duhet. Madje, edhe reforëma në drejtësi i vuri “tapën”
çështjeve të vjetra, të kohës para reformës, që të mbyllte hesapet e vjetra me qëllim që t’i hapte rrugë
pazareve të reja.
Njerëzillëku u vu gjithashtu në sprovë, por për fat të keq dështoi edhe ky. Dikur politikatë të të gjitha
gjatësive e gjinive, zinin rradhën për të bërë paradën e mbështetësve tanë, ndërsa sot kanë harruar
cfarë ndodhi në Gërdec. Por, pa harruar që ata që gatuan vdekjen në Gërdec, me mbështetjen e
politikës së vjetër, sot gatuajnë beton në Tiranë të bekuar nga politika e sotme e re.
Sot, ne denoncojmë shëmtinë e ploitikes , që bëjnë sikur ishin dhe janë me ne kur në të vërtetë kanë
bërë të gjitha përpjekjet për të na penguar në gjykatat vendase apo edhe në Strasburg, që ne të humbim
të fundit amanet të atyre që nuk jetojnë më dhe të fitojnë ata që sot riciklohen në politikë si gjoja
“kundërshtarët” e tyre.
Sot, ne familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, i themi vrasësve që pavarësisht se mund të
mendojnë që i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë apo me ndonjë ambasadatë, ata nuk i kanë mbyllur
hesapet me ne dhe me popullin e thjeshtë të këtij vendi. Njohja e krimit dhe vënia e drejtësisë në vend i
bën nder atyre që e bëjnë këtë dhe na vë në paqe ne viktimave të krimit. Njohja e krimit është hapi i
parë i njerëzillëkut, ndëshkimi i tij i shërben drejtësisë dhe nxjerrja e leksioneve i shërben të ardhmes
sonë të përbashkët. Deri atëherë, me mend në kokë o popull i thjeshtë i këtij vendi.