Kreu i ‘Rithemelimit’ Sali Berisha ka dalë ditën e sotme në një konferencë për gazetarët për të folur lidhur me procesin zgjedhor. Ai ka vijuar me denoncimet duke përmendur shifra që sipas tij janë paguar komisionerët e procesit zgjedhor.
“Në Shkodër, eksponentë tanë të PD u telefonuan nga banditët, u kërcënuan, u ofruan gjer në 20 milionë lekë për komisionerë nga 10 mijë euro për komisionerë. Në Peshkopi, ishin nën mbrojtjen e Ballukes e cila shoqërohej me banditë dhe drejtonte aksionet banditeske elektorale. Bandat e kthyera nga Dubai, në Elbasan dhe vende të tjera diktuan nën mbrojtjen e policisë vullnetin e qytetarëve. Eksponentë të PD, u bënë pre e atentateve të organizuara për eliminimin e tyre, në Vaun e Dejës, në Lezhë.” – tha Berisha.
Berisha theksoi se eksponentëve të PD-së dhe komisionerëve u janë bërë oferta me para nga bandat kriminale për blerjen e votës: “Bandat pushtuan qendrat e votimit siç është rasti i Velipojës. Në Mamurras ata shpërndanë deri në 600 euro votën, të gjitha këto haptaz sepse kishin mbrojtjen e narko-policisë. Në Nikël vrasës trafikantë, bllokuan qendrat e votimit. Vunë në presion të madh komisionerët kurse policia arrestonte një person me një makinë dhe e mashtronte opinionin publik se ai po blinte vota në një kohë kur ai nuk kishte as dhe një qindarkë me vete. Si e si të krijohej zhurma për blerjen e votave nga opozita dhe jo qeveria.”