Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar ditën e sotme kandidatin për Bashkinë e Lushnjës në zgjedhjet e 14 majit, Eduart Sharka.
Berisha e cilësoi 14 majin si ditën që ndan historinë dhe u bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë gjithçka për të ndaluar shkretimin e vendit. Sipas tij, kryeministri Rama ka sot më shumë pushtet se Ramiz Alia në vitin 1991.
Pjesë nga fjala e Berishës: “Të bëjmë gjithçka për të ndaluar rrokullisjen e madhe të Lushnjës e Shqipërisë, shkretimin e kombit shqiptar.
14 maji është një datë që ndan historinë. Pas 32 ditësh jeni të ftuar të votoni kandidatin që keni zgjedhur me votë të lirë, që nuk e ka emëruar as kryetari as kryesia. Duhet të ngrihemi me të gjithë forcën tonë e të ndalim katastrofën e shkretimit e kombit e vendit tonë.
Në 8 vite nga Shqipëria kanë emigruar në BE 937 mijë shqiptarë. Me këto ritme në 16 vite nuk dihet kush do ngelet në Shqipëri
Nuk ka popull në botë që e di më mirë çdo të thotë monizëm, e kaluam për gjysmë shekulli. Sot kemi një njeri i cili ka në duar çdo pushtet, ka pushtet më shumë se Ramiz Alia në 1991. Kemi në pushtet një njeri i cili prodhon nga mëngjesi në darkë vetëm keqësi e negativitet për shqiptarët. kemi një qeveri në të cilën të drejtat e qytetarëve shkelmohen.
Çdo socialist i ndershëm dhe qytetar i ndershëm duhet të bashkohet me ne”