Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama është duke e përjetuar shumë rëndë rezultatin që e pret në zgjedhjet e 14 majit.
I ftuar në emisionin “Opinion” Meta u shpreh se ajo që ka ndodhur deri tani, ishte që kreu i qeverisë i blinte zgjedhjet pasi kishte blerë kryetarin e opozitës.
Ai ka shtuar edhe se PS në Sarandë do të dalë forcë e tretë, pas kandidatit të opozitës dhe kandidatit të pavarur Gjergj Mërkur, që kryeministri Rama i kërkoi pak ditë më parë të tërhiqej nga gara.
“Ne e dimë shumë mirë se ai 14 majin po e përjeton shumë rëndë që tani. Ajo që ka ndodhur është që Edi Rama i blinte zgjedhjet më përpara sipas këtyre takimeve, pasi kishte blerë kryetarin e opozitës. Dhe ato mandatet aty, 19 deputetë i kam marrë kundër marrëveshjes së 17 majit, kundër Bashës, kundër Ramës, kundër bandave. PS në Sarandë është forcë e tretë, e pe si po qante në Sarandë”,-tha Meta.