Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi do të shqyrtojë sot kërkesën e Partisë Demokratike për regjistrimin në zgjedhje. Pasi Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nuk pranoi ankimimet e dy grupeve, fati i PD së Enkelejd Alibeajt do të jetë sërish në dorën e Celibashit, pasi do të jetë ky i fundit që do përcaktojë nëse do futen apo jo në zgjedhjet vendore 2023.
Partia Demokratike rrezikon që të mos futet në zgjedhje, pasi edhe në vendimin e parë Celibashi vendosi kusht plotësimin e deklaratës solemne nga Lulzim Basha, i cili rezulton kryetar i PD-së në regjistrin e partive politike. Por nga ana tjetër, grupi i Alibeajt thotë se nuk do e firmosë Basha pasi ky i fundit ka dhënë dorëheqjen dhe sipas tyre dokumentacioni është i plotë.
Ndërkohë, sa i takon grupit të Berishës, KAS në të njëjtën linjë me KQZ nuk e njohu atë si kryetar të partisë. KAS sqaroi se Sali Berisha nuk mund të ankimojë një vendim që i përket grupimit të Alibeajt. Ndërsa për kërkesën e PD së Alibeajt, KAS thotë se vendimi i ndërmjetëm është procedurial ndaj nuk mund të merret parasysh ankimimi. KAS deklaroi se duhet të merret vendimi përfundimtar nga Ilirjan Celibashi dhe më pas kanë të drejtën që ta çojnë për ankimim.
Kundër këtyre vendimeve mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Administrativ brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij.
Kujtojmë se në mbledhjen e zhvilluar më 9 mars, KQZ vendosi të mos pranojë asnjë kërkesë të 2 grupimeve. Kërkesa e Rithemelimit nuk u pranua për shkak se Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Berisha. Ndërsa kërkesën e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk e pranonte për shkak se mungonte një dokument shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe që duhej firmosur me patjetër nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha. Për dorëzimin e dokumentit të firmosur, KQZ i la afat PD-së vetëm 48 orë kohë por Alibeaj u shpreh se Basha ka dhënë dorëheqjen ndaj dokumenti i dorëzuar është i plotë.
Ndërkohë Berisha kërkon zhbërjen e vendimit të Celibashit, i cili vendosi që ish-kryeministri të mos regjistrohet në zgjedhje me siglën e Partisë Demokratike. Sipas tij, KQZ nuk mund të refuzojë regjistrimin e PD përfaqësuar nga Sali Berisha vetëm bazuar mbi mungesën e shkresës së regjistrit të partive politike, pasi sipas tij në regjistrin e partive politike vijon të mbeten të dhëna të pasakta dhe të vjetëruara.