Teksa na ndajnë vetëm tre ditë nga zgjedhjet lokale të 14 majit kanë mbërritur në KZAZ e Elbasanit të gjithë materialet e nevojshme për votimin e qytetarëve. Përfaqësuesi i KZAZ, Luan Dervishi në një prononcim për mediat është shprehur se materialet e votimeve do të shpërndahen nëpër KQV ditën e shtunë.
Ai ka theksuar se në Elbasan votojnë 170 mijë votues në 224 qendra votimi.
“Ky është një votim që është aplikuar dhe më përpara dhe ka dalë me sukses besoj se edhe në Elbasan do të ecë mbarë.ne kemi marrë masa për çdo lloj rasti edhe në rastet ekstreme që nuk do të funksionojë ku do të njoftojmë KQZ, dhe në rastin më të keq do të kalojmë në atë manual. Elbasani ka 170 mijë votues, 224 qendra votimi në të gjithë bashkinë e Elbasanit. Ditën e shtunë pritet që të bëhet dhe shpërndarja e materialeve nga KZZ nëpër KQV ndërsa pajisjet elektronike do ti shpërndajë KQZ-ja” – tha Dervishi.
Gjithashtu ai ka theksuar se në çdo qendër votimi në Elbasan do të jetë votimi elektronik dhe sipas tij me këtë procedurë votuesit e kanë më të lehtë se atë manual: “Elektronikisht do të votohet edhe në zonat më të thella të Elbasanit, do të jemi në ndjekje të çdo problematike. Votimi elektronik është shumë më i thjesht se ai me dorë”