Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët e Kuçovës të cilëve u ka kërkuar votën për kandidatin Kreshnik Hajdari i cili rikandidon në krye të kësaj bashkie. Gjatë takimit Rama nuk kurseu sulmet për opozitën.
“Në 14 është një zgjedhje më e qartë se kurrë ndonjëherë. Nga njëra anë është PS me kandidatët e saj. Asnjë nga kandidatët tanë nuk ka rënë nga qielli, asnjë nuk është i përsosur, por ama kandidatët e tyre janë faqja më e zezë ndër shqiptarë. Janë kandidatët e faqes së zezë të atyre të dyve që i kanë marrë dhe i kanë vënë për t’u turrur nëpër bashkitë e vendit dhe për të marrë peng këdo që mund të marrin peng. Janë kandidatët e faqes së zezë të një gërdalle 80-vjeçare”-tha Rama.
Teksa theksoi rëndësinë e investimeve të huaja për Shqipërinë, Rama tha se këto të fundit të cilat janë tepër jetike për zhvillimin ekonomik, do jenë të pamundura nëse votohet për kandidatët kundërshtarë të cilët përfaqësojnë Berishën i cili është shpallur i padëshirueshëm nga SHBA duke bërë që edhe në Europë mos t’i hapet asnjë derë.
“Partnerët ndëkombëtarë do numërojnë sa shqiptarë akoma nuk e kanë kuptuar, akoma nuk mbushin që me faqen e zezë lëndojnë marrëdhëniet me ta. Dhe marrëdhëniet me ta janë shumë të rëndësishme se nëse Shqipëria po rritet sot ekonomikisht është falë investimeve të tyre. Nëse marrëdhëniet me ta lëndohen, gjërat bëhen më të vështira. Kështu që çdo familje mund t’i bjerë fatkeqësia që t’i dalë ndonjë dru i mbrapshtë, por çdo familje merr masa që most ë kthehet në problem për gjithë popullin. Unë u them atyre të shtëpisë time po pati shenjën më të vogël që unë mund të shkoj në këtë drejtim, më mbyllni në shtëpi. Atyre nuk u hapet asnjë derë në Europë. Cilët donatorë do vijnë këtu të financojnë në secilën bashki? Edhe kur nuk ka qenë kështu, më tregoni një bashki që ata e morën dhe e cuan një hap përpara”- shtoi kryesocialisti.