Shefi i sektorit politik të delegacionit të BE-së në Shqipëri Alexis Hupin ka folur ditën e sotme nga Shkodra për zgjedhjet e 14 majit dhe bashkëpunimin me qeverisjen vendore.
Hupin tha se ata presin bashkëpunimin me autoritetet vendore dhe se 70% e gjithë legjislacionit të BE do të vihet në zbatim nga autoritetet vendore, pra autoritetet lokale.
“Nuk dëshiroj që të bëj ndonjë koment për procesin e zgjedhjeve, kjo për arsye se tashmë OSBE-ODIHR është shprehur lidhur me këtë çështje. E vetmja gjë që dëshiroj të them që ne me kërshëri presim bashkëpunimin me autoritetet vendore, një punë kjo që do të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Një mesazh për ju dhe për të gjithë Shqipërinë është që 70% e gjithë legjislacionit të BE do të vihet në zbatim nga autoritetet vendore, pra autoritetet lokale. Prandaj do të jetë shumë e rëndësishme puna që do të bëjnë ato për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian, është një punë për të cilën BE do të vijojë që të jetë këtu dhe të qëndrojë përkrah Shqipërisë për të arritur më shumë për të ardhmen” – tha zyrtari i BE.