Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e ka pranuar deri diku se policia nuk ka funksionuar si duhet. Para se të shkarkohej ai ka dhënë një intervistë për mediat franceze.
Në reportazhin “Hetime Ekskluzive” për kanalin francez Metropole, Nano dëgjohet të listojë në shqip 14 raste kur kriminelët janë arratisur gjatë kohës që ai drejtonte Policinë, kjo pasi operacionet ishin dekonspiruar dhe informacioni ishte shpërndarë deri te bandat. Nano ka shtuar se është e paqartë nga ka rrjedhur ky informacion. Megjithatë, ai ka thënë se disa personazhe të botës së krimit janë arrestuar gjatë drejtimit të Policisë prej tij.
“Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale. Kishim 32 në shënjestër dhe arrestuam 1, 2, 3 ,4 …18. Anëtarë të bandave jashtëzakonisht shumë të dhunshme të trafikut të drogës dhe vrasjeve me pagesë”, është rrëfyer Nano.
Më tej Gledis Nano, i cili në dokumentar cilësohet edhe si “i hekurt”, shton se për shkak të reformës në drejtësi, i është dashur të largojë nga puna shumë kolegë të vetë. Ai thekson s epër shkak të kësaj reforme janë shkarkuar edhe shumë gjyqtarë dhe prokurorë, duke ngadalësuar punën e institucioneve ligjzbatuese.
“Ka një reformë të drejtësisë që po vazhdon në këto momente. Prokurorë dhe gjykatës janë shkarkuar dhe ne po bëjmë të njëjtën gjë me policët tanë. Kjo gjë do pak kohë. Për këtë arsye me është dashur të sanksionojë shumë kolegë te mi në pozicione shumë të larta në detyrë. U shkarkuan. Kjo gjë sepse nëqoftëse një ditë do duam të integrohemi ne BE, duhet të përmbysim disa rregulla. Një nga këto është lufta kundër korrupsionit”, ka shtuar ai.
Reportazhi nënvizon ndryshimet rrënjësore që ka pësuar Shqipëria në këto 32 vite tranzicion.
“Të bëhen pjesë e Europës është qëllimi i tyre parësor. Shqiptarët janë të bindur që kjo gjë do u përmirësojë imazhin dhe do rrisë interesin e turistëve të huaj”, thuhet në reportazhin francez.