Një ngjarje tragjike ka ndodhur pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti të dhunshëm me thikë me dy bashkëmoshatarë të tjerë. Ngjarja ka shpërthyer pasi adoleshentët janë përleshur pas përfundimit të mësimit, dhe dyshohet se konflikti ka pasur origjinë në përplasje mes dy grupeve në rrjetet sociale.
Viktima, 14-vjeçari M. C., ka marrë goditje në zemër dhe ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër adoleshent, L. M., ka pësuar goditje në gjoks, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas informacioneve, të rinjtë nuk kanë qenë nxënës të shkollës “Fan Noli”, dhe konflikti në rrjetet sociale ka kaluar në dhunë fizike. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij krimi të rëndë.