14 VKM të firmosura në tre ditë/ PD thirrje SPAK: Heto Arben Ahmetajn

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me vendimet e Këshillit të Ministrave gjatë verës.

Në një deklaratë për shtyp, kryetarja e Komisionit të Apelimit Adriana Kalaja i ka bërë thirrje SPAK që të hetojë veprat penale të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, pasi vetëm në muajin korrik kanë dalë 14 VKM.

Sakaq shton se kjo shkelje është e njëjta me atë për të cilën u dënua ish Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, si dhe firmat janë hedhur tre ditë para se Ahmetaj të shkarkohej.

Deklaratë e plotë:

Është bërë e modës, që Edi Rama jo vetëm që nuk firmos vetë, por i ruan Vendimet e Këshillit të Ministrave (VKM) për pikun e verës. Gjatë korrikut, ndryshe nga muajt e tjerë, kanë dalë shumë VKM dhe 14 prej tyre janë firmosur nga ish Zv/ Kryeministri Arben Ahmetaj më datë 27/7/ 2022. Do të thotë 3 ditë pas shkarkimit të tij.

Një nga 14 VKM-të që ka firmosur ish Zv. Kryeministri Ahmetaj është ai me Nr.512, më datë 27 korrik. Së pari, duhet të sqarojmë publikun se nuk ka pasur një mbledhje të Këshillit të Ministrave në këtë datë.

Së dyti, VKM-ja e firmosur nga zoti Ahmetaj, duke mos pasur një tagër të tillë (pasi ishte i shkarkuar), jo vetëm është absolutisht i pavlefshëm nga pikëpamja civile, por është edhe konsumim i 2 veprave penale.Atyre të “Përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”, parashikuar nga neni 249 i Kodit Penal. Kjo shkelje është e njëjta me atë për të cilën u dënua ish Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, gjë që do të thotë se precedenti ekziston.

Në këto kushte, Partia Demokratike i bën thirrje SPAK të veprojë menjëherë dhe të nisë hetimet përveprat penale të konsumuara nga ish Zv/ Kryeministri Arben Ahmetaj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *