Me 14 vota pro dhe 1 kundër, Komisioni Parlamentar i Ligjeve e ka miratuar nismën për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta. Vota kundër erdhi nga deputeti i PBK-së, Adriatik Alimadhi.
Do jetë seanca e Kuvendit, që do të votojë për ngritjen e këtij Komisioni Hetimor, që është i dyti brenda kësaj legjislature. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka ‘zbuluar’ arsyen përse Kreu i Shtetit, Ilir Meta, nuk pranoi që të merrte pjesë sot në mbledhje online.
Në fjalën e tij, Manja tha se Kreu i Shtetit e dinte se ligji nuk e lejon ngritjen e Komisionit 4 muaj para përfundimit të legjislaturës, ndaj edhe kërkon zvarritjen e procesit.
“E dimë që nuk ngremë dot Komision 4 muaj para, edhe presidenti e di. Ndaj “Ligjet” kanë ndjekur të gjitha procedurat dhe presidenti në vlerësimin tim, jo se nuk i ka mjaftuar koha. Duke kërkuar datën 10 maj, kërkon ta nxjerrë jashtë afatit, ka tentuar të pengojë punën e Komisionit të Ligjeve. Komisioni i Ligjeve nuk e gjykojmë as fajësinë dhe as pafajësinë. Vetëm do të propozojmë ngritjen ose jo të Komisionit Hetimor, dhe më pas është detyrë e tij që brenda datës 9 korrik të shprehen”, tha Manja në fjalën e tij.