Dita Ndërkombëtare e Muzeut është një ditë ndërkombëtare që mbahet çdo vit në ose rreth datës 18 maj, e koordinuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeumeve.
Ngjarja nxjerr në pah një temë specifike e cila ndryshon çdo vit për të pasqyruar bazën e preokupimeve të komunitetit ndërkombëtar të muzeumeve.
Kjo ditë siguron mundësinë që profesionistët e muzeve të takojnë publikun dhe t’i informojnë ata për sfidat me të cilat përballen muzetë. Në të vërtetë, duke ndjekur përkufizimin e muzeve të ofruar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeumeve, një muze është përkufizuar si një institucion jofitimprurës, i përhershëm në shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të saj, i hapur për publikun, i cili përvetëson, konservon, hulumton, komunikon dhe ekspozon trashëgiminë e prekshme dhe të paprekshme të njerëzimit dhe mjedisit të tij për qëllime arsimimi, edukimi, studimi dhe kënaqësie .
Dita Ndërkombëtare e Muzeut shërben si platformë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut mbi rolin që luajnë muzetë në zhvillimin e shoqërisë aktuale, në një nivel ndërkombëtar.
Çdo vit, të gjithë muzetë në botë ftohen të marrin pjesë në organizimet e Ditës Ndërkombëtare të Muzeut për të promovuar rolin e muzeve në të gjithë botën, duke krijuar aktivitete unike, të këndshme dhe falas rreth një teme të diskutuar në komunitetin ndërkombëtar për këtë ditë të veçantë.
Që nga fillimi i saj në vitin 1977, Dita Ndërkombëtare e Muzeut ka fituar vëmendje të konsiderueshme.
Në vitin 2009, Dita Ndërkombëtare e Muzeut tërhoqi pjesëmarrjen e 20,000 muzeve që organizuan ngjarje në më shumë se 90 vende.
Në vitin 2010, 98 vende morën pjesë në festime, 100 vende në vitin 2011, dhe 30,000 muze nga 129 vende në vitin 2012.
Në vitin 2011, posteri zyrtar ndërkombëtar u përkthye në 37 gjuhë. Që nga viti 2012, ky numër u rrit me një në 38.