2 maj 2002/ Çfarë ka ndodhur 20 vite më parë! Dy liderët 3 orë në mesnatë te vila e ish – kryeministrit

Takimi i fshehtë që zgjodhi Pëllumbin

Zbardhet biseda që u zhvillua në shtëpinë e ish – kryeministrit. Përse Meta refuzoi propozimin e Nanos për postin e kreut të Kuvendit. Si ranë dakord për kandidaturën e Profesorit dhe eliminuan të tjerat. Ja çfarë u tha tjetër deri në mëngjesin e së dielës. Rrëfehet Fino: Votimi në KPD ishte me probleme.

Takimi i fshehtë ku u zgjodh Pëllumbi

Fillimisht Nano ia propozoi Metës kreun e Kuvendit

Fatos Nano i propozoi Ilir Metës të marrë postin e Kryetarit të Kuvendit. Por ish – kryeministri e refuzon këtë ofertë të kreut socialist. Të dy së bashku vendosin pas tre orë bisedimesh, të mbështjellura me mister, të mbështesin kandidaturën e Servet Pëllumbit. Gjithçka është përgatitur me shumë kujdes qysh tre ditë përpara se Servet Pëllumbi të votohej dhe fitonte në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues dhe pak orë më pas në sallën e Parlamentit shqiptar.

Gazeta ka zbuluar kështu edhe paktin e fshehtë Nano – Meta pas paktit publik politik të dy javëve më parë, një mekanizëm që duket se ka funksionuar edhe kësaj here e që ka favorizuar zgjedhjen e Profesorit në postin numër 2 të shtetit shqiptar.

Një takim i filluar në mesnatën e së shtunës së kaluar, larg kamerave dhe syve të medias ka bërë kështu të mundur realizimin e skemës më të fundit pas dorëheqjes së parevokueshme të Namik Dokles nga kreu i Parlamentit. Vendi dhe ora, kësaj radhe nuk kanë qenë më të njëjtat me ato të takimit të parë publik Nano – Meta. Këtë të shtunë, kryetari i PS nuk e ka pritur ish – kryeministrin në zyrën e tij në selinë e PS, por ka preferuar ta vizitojë atë në shtëpinë e këtij të fundit, pak metra larg unazës së re, në periferi të kryeqytetit, pikërisht në lagjen Laprakë.

Vendi dhe ora e takimit

Fatos Nano ka mbërritur atje rreth mesnatës, ndoshta në orët e para të mëngjesit të së dielës 28 prill. Më shumë se sa një vizitë kortezie për shkak të një sëmundje që po kalon ish – kryeministri prej disa ditësh, kreu i PS ka nxituar para nisjes së tij për në Athinë, të sistemojë së bashku me partnerin e tij të vjetër dhe të ri një handikap të provokuar nga dorëheqja e Dokles. Kush do të ishte specialisti që do të udhëhiqte Parlamentin e trazuar shqiptar. Disa nga emrat e kandidatëve ishin bërë tashmë publike. Bashkim Fino, Servet Pëllumbi, Spartak Poçi, Kastriot Islami apo… Kjo nuk ishte dhe aq e thjeshtë për tu vendosur. Në situatën e krijuar në PS dhe jo vetëm atje, do të ishte shumë e vështirë që strukturat e kësaj partie të gjenin njeriun konsensual pa një angazhim të drejtpërdrejtë të dy figurave kryesore Nano e Meta.

Kështu pra, lideri socialist ka zgjedhur të shkojë të shtunën në mesnatë në vilën ku jeton ish – kryeministri me familjen e tij dhe të bisedonte për rreth tre orë me Ilir Metën.

Pëllumbi?

Në fakt Nano i ka propozuar atë natë ish-kryeministrit të hipte vetë në karrigen që të hënën do të mbetej vakant nga largimi i Dokles. Meta e ka falënderuar Nanon për ofertën, por i ka thënë se do të mund ta pranonte këtë post në një situatë krejt tjetër. Ish – kryeministri mësohet t’i ketë thënë kryetarit të partisë së tij se pas situatës së re të krijuar në Parlament, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ai nuk mund të merrte përsipër përgjegjësi të tilla. Meta i ka kujtuar Nanos se ai vetë ka qenë protagonisti i shkarkimit të Arben Rakipit nga posti i Kryeprokurorit dhe se në kushtet e dorëheqjes së Dokles pas vendimit të Kushtetueses që rehabilitonte Rakipin, ai (pra Meta) nuk do mundej moralisht të drejtonte Parlamentin.

Pakti

Kështu opsione të tjera dhe të ndryshme janë hedhur në tryezën e shtëpisë së ish-kryeministrit atë të shtunë pas mesnate, opsione të cilat pas rreth tre orë bisedimesh kokë më kokë, u reduktuan në një emër të vetëm: Servet Pëllumbi. Kjo zgjedhje u bë për t’i dhënë një kompensim “profesorit” për drejtimin që ai i ka bërë PS në kohën e saj të vështirë. Burimet pranë kreut të PS pohojnë për Gazetën se mes dy “të fortëve” në PS janë diskutuar dhe çështje të tjera me shumë interes për zhvillimet e afërta që pritet të shpalosen brenda dhe jashtë mureve të maxhorancës socialiste. Ç’do të bëhet me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe ish-kryeprokurorin Rakipi, cilat do të ishin mënyrat për të përmirësuar qeverisjen, kush dhe si do të zgjidhet Presidenti i ri i vendit.

Burimet ngurojnë ende të japin detaje të bisedimeve që janë zhvilluar pikërisht rreth këtyre çështjeve. Megjithatë shumë gjëra duket se po qartësohen së fundmi. Takimi, kësaj here, gjysmë i fshehtë, mes Nanos dhe Metës në shtëpinë e këtij të fundit dhe zgjedhja e kryeparlamentarit të ri, pas marrëveshjes së tyre që tre ditë para se të kryhej votimi, ka provuar edhe njëherë se socialistët e vetshpartalluar keqazi këto muajt e fundit po përpiqen të rikuperojnë copat e humbura të unitetit të tyre tashmë të lënë pas.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *