20 mijë firma për një ligj/ Shkon në KQZ nisma ligjore për miratimin e minimumit jetik

Aktivistët e Organizatës Politike i është drejtuar KQZ-së për të miratuar mbledhjen e 20 mijë nënshkrimeve, me qëllim nisjen e procesit ligjor për miratimin e minimumit jetik.

Lidhur me këtë nismë aktivistët shprehen se minimumi jetik është e drejtë e çdo qytetari, ku me thellimin e krizës kjo duhet rishikuar ndryshe nga sa është tani, 18 000 lekë në muaj.

Aktualisht një pensionist në Shqipëri përfiton mesatarisht 8.000 lekë në muaj,  ndërsa maksimumi i ndihmës ekonomike që mund  të përfitojë një familje e varfër është 10.000 lekë.

“Përpara krizës, 10% e qytetarëve shqiptarë ishin poshtë kufirit të varfërisë absolute. 33% konsideroheshin relativisht të varfër. Kriza ekonomike dhe rritja e çmimeve po e bëjnë jetesën të papërballueshme për shumicën dërrmuese të qytetarëve.  Minimumi jetik është një e drejtë të cilën e gëzojnë shumica e popujve dhe e vendeve në Europë dhe është një e drejtë e vonuar dhe e nëpërkëmbur për qindra mijëra shqiptar të varfër, të cilët sot sipas raporteve ndërkombëtare më shumë se 50% e tyre rrezikojnë të bien në varfëri”, shprehen aktivistët.

Sipas raportit të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 32% e popullsisë së Shqipërisë vuan nga pamjaftueshmëria ushqimore. Ndërsa sipas Eurostat, 74.7% e popullsisë së Shqipërisë që është në moshë pune rrezikon varfërinë.

21.6 për qind e popullsisë në 27 vendet e anëtarë të BE-së jetojnë në kufirin e varfërisë, ndërsa Shqipëria numëron dyfishin e mesatares së BE-së. 43.4%t e popullsisë shqiptare rrezikon varfërinë, tregojnë të dhënat e Eurostat për 2020. Sakaq raportet e rendisin Shqipërinë ndër vendet më të varfra në rajon.

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *