Konsiderohet si ‘Dan Hutra’ i drejtësisë shqiptare dhe perceprohet si një nga gjyqtarët më të korruptuar, i cili paradoksalisht ka kaluar Vetingun, ndonëse ish bashkëshortja e tij, me të njëjtën pasuri të përbashkët, u shkarkua nga detyra.
Gjyqtari Gerd Hoxha, i cili përfaqëson sot standardin e dysfishtë dhe thyerjen e besimit të Vetingu, një nyje të pakëputur të drejtësisë së vjetër dhe rezistencën e Ilir Metës, Sali Berishës dhe Gjin Gjonit kundër reformës në drejtësi, ka marrë pjesë në maskaradën e drejtësisë për mbylljen pa ndëshkim të dosjes së 21 Janarit.
Gerd Hoxha ka luajtur çekiçin e drejtësisë për të mbyllur dosjen e fshirjes së pamjeve filmike të 21 Janarit nga serveri i Kryeministrisë, edhe pse zhdukja e pamjeve mesnatën e 21 Janarit, disa orë pas vrasjeve, ishte faktuar nga një ekspertizë e FBI. ‘Ekspertiza’ e Gerd Hoxhës doli mbi ekspertizën e FBi dhe provat e Prokurorisë!
Në vendimin e Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut për 21 Janarin, vendim që i hapi rrugë hapjes së dosjes nga Gjykata e Lartë dhe SPAK, ka një kapitull për mënyrën se si Gjyqtari Gerd Hoxha mbylli dosjen e fshirjes së pamjeve filmike nga serveri i Kryeministrisë, veprim që ko siderohet nga gjykata si veprim për pengimin e drejtësisë dhe që aktualisht po hetohet nga SPAK-u.
Prokuroria e Tiranës kërkoi dy vite burg për ish IT në Kryeministri Armando Kasajt, me akuzën e veprimeve që pengojnë drejtësinë.
Gjyqtari Gerd Hoxha deklaroi se është vërtetuar, se dhoma ku ndodhej serveri, nga i cili janë fshirë pamjet filmike ka qenë e mbikëqyrur nga Garda dhe se kjo nuk ishte zyra e Armando Kasajt. Përveç kësaj – shtoi gjyqtari, – qeliza e telefonit tregon se Kasaj, mesnatën duke u gdhirë 22 janari, për të cilën akuzohet, ka qenë në shtëpinë e tij pranë Medresesë.
“Në këtë mënyrë, përjashtohet në mënyrë kategorike prania e tij pranë ambienteve të Këshillit të Ministrave në këtë orë dhe hidhen dyshime të forta, të bazuara në prova, mbi praninë e tij në orën 00.51 të datës 22 janar 2011, në ambientet e Kryeministrisë, kur është bërë edhe formatimi dhe fshirja e të dhënave. Sa më sipër Gjykata çmon se akuza ndaj këtij të pandehuri bazohet vetëm në indicje, të cilat nuk janë të sakta, të rëndësishme dhe janë të paharmonizuara nga njëra-tjetra. Eshtë e vërtetë që një vepër penale mund të provohet dhe nga indiciet, por këto duhet të jenë të sakta dhe të lidhura në harmoni me njëra-tjetrën”, tha Hoxha.
Arsyetimi i Gerd Hoxhës është paradoksal pasi Armando Kasaj kishte pranuar se kishte fshirë pamjet filmike vetëm të një kamere. Nga ana tjetër, FBI kishte konfirmuar veprimet për të fshehur provat e krimit.
“Ky i pandehur pranon se ka bërë kopjen vetëm të një kamere, pikërisht të kamerës nr. 1, që ndodhej në tarracën e godinës së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Por, në të vërtetë, i pandehuri ka kopjuar dhe filmimet e kamerës nr. 2 dhe që nga data e ndodhjes së ngjarjes, 21.01.2011, deri më datë 04.03.2011, i pandehuri ka fshehur filmimet e kamerës nr. 2, kopjimin e së cilës e ka bërë po vetë”, thuhej në dosjen e prokurorisë.
Pas vendimit të Gerd Hoxhës, reagoi Partia Socialiste, asokohe në opozitë.
“Partnerët tanë ndërkombëtarë thanë se ekspertiza FBI-së është bazë e një hetimi serioz të 21 Janarit. Në hetimin e FBI-së thuhet se specialisti IT i Kryeministrisë kishte kopjuar dhe fshirë filmimet e 21 Janarit. Gjykata sot hodhi poshtë hetimin e FBI-së. Tek filmimet dallohen ata që qëlluan kundër protestuesve, por edhe ata që urdhëruan dhe vendimi i gjykatës ishte një vrasje e dytë, një vendim skandaloz, kriminal, i pafalshëm nga një gjyqtar i lidhur ngushtë me pushtetin”.
Bëmat e Gerd Hoxhës
Gerd Hoxha, i njohur tashmë si gjyqtari i Dan Hutrës, është një nga gjyqtarët që organizoi ‘revoltën’ e gjyqtarëve kundër reformës në drejtësi dhe sidomos Vetingut, duke i bashkuar kështu frontit anti-amerikan të Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Unioni i Gjyqtarëve me në krye Gerd Hoxhën dërgoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Vetingut, duke kërkuar rrëzimin disa parashikimeve shumë të rëndësishme. Gerd Hoxha ishte edhe anëtar i KLD-së, shok me Gjin Gjonin, Ilir Metën, grupin e Metës dhe Berishës në KLD, të gjithë sot jashtë drejtësisë si të korruptuar.
Liroi nga burgu Dan Hutrën
Në 16 shkurt 2023, gjyqtari Gerd Hoxha liroi nga burgu Dan Hutrën, i cili dy javë më vonë vrau tre gra në Tiranë dhe plagosi tre të tjera.
Fillimisht, në 8 shkurt 2023, Dan Hutra është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg për dhunë në familje nga gjyqtari Gerd Hoxha.
Në vendimin e tij, dënimin kaq të ulët, Gerd Hoxha e argumenton se Dan Hutra ka pranuar akuzën, kishte shfaqur pendesë, priste një fëmijë, kishte mamanë sëmurë, kishte 8 klasë shkollë (botëkuptim të ulët), se viktima e kishte falur etj.
Ndërkohë që në një vendim tjetër, atë të datës 16 shkurt 2023, Gerd Hoxha vendon për shuarjen e masës së sigurisë dhe lirimin e Dan Hutrës nga qelia, për shkak të periudhës së paraburgimit, që llogaritet me 1.5 në raport me kohë burgimit.
Gerd Hoxha është lakuar edhe për lehtësim të pozitave të Ervis Martinsjt në ngjarjen në Linzë, ku u vra Enton Nika.
Liroi nga burgu trafikantin e kokainës Marson Muratajn
Ish anëtari i KLD-së së famshme, Gerd Hoxha, liroi nga burgu Marson Muratajn, administratorin e kompanisë së kokainës ‘BanaKing’, për rastin e kapjes së 119 kg kokainë të pastër, ardhur nga Ekuadori.
Me 2 janar 2021, ishte pikërisht Gerd Hoxha, gjyqtari i cili la në burg tre të arrestuarit për kokainën, administratorin Marson Muratajn dhe dy shoferët.
Një muaj më vonë, Gerd Hoxha ndryshoi mendje, duke liruar administratorin e kompanisë së drogës kamufluar me banane, ndërsa la në burg dy shoferët. Si gjithmonë, të vegjlit hanë burgun, të mëdhenjt çajnë burgun.
Çfarë ndodhi që Gerd Hoxha ndryshoi mendje dhe hëngri ‘bananen’ e Trifon Muratajt, bosit të kompanisë së bananeve që reklamon Ardit Gjebrea?
Mos vallë gjatë muajit janar kanë hyrë në lojë çantat me paratë e drogës dhe shoferët korrierë, duke lëvizur mekanizmin korruptiv të drejtësisë?
Disa ditë më pas Gjykata e Apelit e riktheu në burg ushtarin e bosit Trifon Murataj, i cili sipas DEA-s amerikane, bashkëpunon me Ben Qimen në trafikun e kokainës.
Gjykata e Apelit e gjeti të pabazuar vendimin e Gerd Hoxhës. Nga ana tjetër, Trifon Murataj vijoi avazin, duke e kthyer portin e Durrësit në një mulli kolaine.
Vetë Trifon Murataj u shpall në kërkim pasi iu kap ngarkesa e radhës me kokainë kontenjerët e tij me banane. Murataj, i cili thotë se gjithmonë ia fusin drogën fshehurazi, lëviz nëpër Tiranë me një kapele.
SHBA-BE: Gerd Hoxha nuk duhet të japë drejtësi
Gerd Hoxha e ka kaluar procesin e Vetingut me polemika dhe në mënyrë të diskutueshme. Komisioni Vetingut i shkallës së parë e konfirmoi Gerd Hoxhën në detyrë në 3 qershor 2021, me shumicë votash. Olsi Komici dhe Genta Tafa kanë votuar pro konfirmimit në detyrë të gjyqtari Hoxha.
Brunilda Bekteshi ka votuar kundër konfirmimit në detyrë të Gerd Hoxhës, me argumentin se nuk kishte arritur një nivel të besueshëm sa i takon vlerësimit të pasurisë. Zonja Bekteshi ka arsyetuar se Hoxha nuk justifikon pasurinë e deklaruar në vlerën 3,555,941 lekë ose rreth 30 mijë euro.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Vetingut është ka kërkuar në mënyrë të prerë shkarkimin e Gerd Hoxhës nga drejtësia, për cenimin e besimit të publikut te drejtësia. OMN, përmes përfaqësueses Marie Tuma, ka akuzuar gjyqtarin Gerd Hoxha se ka kur ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka votuar pro lejes së posaçme me afat 2-vjeçar që KLD i dha gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Gjin Gjoni –tashmë i dorëhequr nga sistemi i drejtësisë.
Sipas ONM-së, mbledhja e KLD-së dhe vendim i marrë për dhënien e lejes gjyqtarit Gjoni, janë kryer në shkelje të dispozitave ligjore. Rasti tjetër ka të bëjë me vendimin e KLD-së për të rrëzuar kërkesën e ministrit të Drejtësisë së kohës për masë disiplinore ndaj gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj. Gjetja e tretë e ONM-së ishte mbi një dosje penale në ngarkim të një infermiereje dhe farmacistes të QSUT-së për abuzime me barnat për të sëmurët me kancer.
KPK-ja nuk e mori parasysh rekomandimin e ONM-së, duke konfirmuar Gerd Hoxhën në detyrë. Gjetjet e ONM-së kundër Gerd Hoxhës, KPK-ja i referoi për inspektim në ILD.
Në korrik të vitit 2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i rekomandoi Komisionerit Publik që të ankimonte në Kolegji e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të Gerd Hoxhës. OMN-ja konstatonte pamundësi financiare për krijimin e pasurive nga Gerd Hoxha, dyshime për fshehjen e një automjeti në emër të babait si dhe implikim veçanërisht për vendimmarrjet si anëtar i KLD.
Disa ditë më pas, Komisioneri publik Dariel Sina, duke pranuar rekomandimin e ONM-së, ankomoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të Gerd Hoxhës, duke konfirmuar të gjitha problematikat e konstatuara nga ONM-ja.
Një tjerët fakt interesant ishte se gjyqtari kishte pasur thuajse të njëjtat probleme si ish-bashkëshortja e tij gjyqtare e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri, e cila ishte konfirmuar në detyrë nga KPK-ja. Por vendimi ishte apeluar në KPA nga Komisioneri Publik, me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Elbana Lluri u shkarkua nga KPA-ja, ndërsa ish bashkëshorti i saj Gerd Hoxha u konfirmuar në detyrë.
Pas shumë seancash, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me shumicë votash, në 6 korrik 2022, konfirmoi në detyrë gjyqtarin Gerd Hoxha. Rezarta Schuetz, Albana Shtylla dhe Natasha Mulaj kanë votuar pro konfirmimit në detyrë të gjyqtarit Gerd Hoxha, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Sokol Çomo dhe Ina Rama kanë kërkuar shkarkimin e Gerd Hoxhës nga detyra, duke argumentuar edhe qëndrimin e tyre.
Në mendimin e pakicës, Sokol Çomo dhe Ina Rama kanë arsyetuar se Gerd Hoxha nuk justifikonte me burime të ligjshme të ardhurash apartament me sipërfaqe 125 m2 të ndodhur në Tiranë, apartament me sipërfaqe 128 m2 të ndodhur në Vlorë si dhe ka fshehur një makinë “Audi Q7”.
Më i prerë në qëndrimin e tij, kundër konfirmimit në detyrë të Gerd Hoxhës, ka qenë vëzhguesi i famshëm ndërkombëtar Theo Jacobs. “Do doja të theksoja se jemi totalisht kundër këtij vendimi, jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për procesin e vendimmarrjes. Drejtësia shërbehet kur vendimi bazohet në fakte, jo kur faktet i përshtaten rezultatit të dëshiruar. Reforma në drejtësi, procesi i vetingut, ky Kolegj dhe qytetarët e Shqipërisë meritojnë më shumë se sa ky vendim”, tha Jacobs.