Sulmi kamikaz në Manchester të Anglisë, që shkaktoi 22 viktima gjatë koncertit të këngëtares Ariana Grande në 2017-ën mund të ishte parandaluar. Në këto përfundime u arrit pas hetimeve të publikuara nga gjykata britanike, ku thuhet se agjencia e brendshme e inteligjencës britanike nuk veproi shpejt për informacionin se dikush do të kryente sulm vetëvrasës.
Gjykatësi në pension John Saunders, i cili drejtoi hetimin për sulmin në Manchester Arena, tha se dështimi i inteligjencës britanike për të vepruar me shpejtësi çoi në ngjarjen e rëndë. Ai kishte kritikuar më parë stafin e arenës dhe policinë lokale për dështimin në identifikimin e sulmuesit si një kërcënim.
Kamikazi, 22-vjeçari Salman Abedi, shpërtheu një bombë në hollin e arenës në fund të koncertit ndërsa fansat u larguan nga shfaqja më 22 maj 2017. Më shumë se 100 persona u plagosën, përfshirë fëmijë dhe të rinj.
Pas bombardimeve, turneu i Ariana Grandes u pezullua deri në fillim të qershorit. Në një letër drejtuar fansave, Grande u zotua të kthehej në Mançester dhe shkroi se do të mendojë për njerëzit e prekur nga kjo tragjedi për gjithë pjesën tjetër të jetës së saj.