Në 23 vjetorin e masakrës në Poklek dhe Çikëtovë të Drenasit, presidentja e vendit Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe tek varrezat e të vrarëve në këtë masakër.
Osmani kujtoi se në këtë ditë 23 vjet më parë, në tokën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër u ekzekutuan dhe u dogjën 54 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë.
“Në këtë ditë të trishtë për gjithë Kosovën po përkujtojmë një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj popullatës civile. Në këtë varrezë që e shihni prehen 54 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë. 24 fëmijë së bashku me familjarët e tyre jo vetëm që u ekzekutuan por edhe u dogjën disa herë radhazi, nga forcat serbe. Kjo masakër e kryer nga forcat serbe tregon qartë qëllimin e regjimit serb për shfarosjen e popullit shqiptar”, deklaroi ajo.
Sakaq, ajo ka shtuar kjo masakër, është dëshmi që regjimi i Millosheviçit dëshironte t’i zhdukte shqiptarët dhe nuk duhet reshtur së kërkuari drejtësi, për krimet serbe në Kosovë.
“Secili prej nesh duhet që të vërtetën e Poklekut ta themi kudo, jo vetëm në Kosovë por në çdo vend të botës, në mënyrë që bota të dëgjojë dhe ta shoh dëshminë që kishte regjimi i Millosheviqit për të zhdukur shqiptarët nga Kosova. Kujtimi për ta do të jetë i përhershëm, ndërsa ne kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi”, tha Osmani.