25% e tenderëve që u finalizuan me sukses gjatë vitit që shkoi u dhanë pa garë, pasi në to u dorëzua vetëm 1 ofertë. Sipas të dhënave zyrtare nga sistemi i prokurimit elektronik, rezulton se numri i procedurave të prokurimit mbi 1 000 000 lekë, me një ofertë të dorëzuar dhe të finalizuara me njoftim fituesi është 1 645, nga totali prej 6 494 tenderësh që u zhvilluan përgjatë periudhës janar – dhjetor 2022.
Agjencia e Prokurimit Publik nuk ka bërë me dije fondin total që është prokuruar në këtë formë, ndërkohë që nëj vit më parë kjo shifër ishte 330 mln euro apo 21% e fondit total të prokuruar. Realizimi i procedurave të prokurimit publik me vetëm një pjesëmarrës nuk është i ndaluar nga legjislacioni në fuqi, por gjithsesi ato përbëjnë arsye për ngritjen e flamujve të kuq, për shkak të mungesës së konkurrencës.
Ndërkohë që, sipas Open Data Albania, që ka në fokus monitorimin e procedurave tenderuese, shpesh këto procedura më shumë se mungesë konkurrence në treg shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokumentesh në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste, ndaj këto tendera meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk. Nga aan tjetër, mungesa e konkurrencës ul mundësitë e kursimit të parave publike, pasi vlerësimi i ofertës mbi çmimin më të favorshëm të ofruar është i pamundur./Tv Scan