’25 prilli masakra më e madhe zgjedhore’, Basha propozon Platformën Qytetare për Demokracinë

Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së i ka cilësuar zgjedhjet e 25 prillit, masakrën më të madhe zgjedhore në historinë e pluralizmit në vend. Ai u shpreh se Shqipëria një vend i kapur nga korrupsioni, ndaj edhe është mision i demokratëve t’u kthejnë qytetarëve të drejtën për të vendosur.

“Përballë përmbysjes së marrëdhënive të qytetarit me shtetin që ka prodhuar ky regjim i korruptuar, misioni i Partisë Demokratike është t’ua kthejë qytetarëve kontrollin mbi shtetin e tyre. T’u kthejë shumicës së shqiptarëve të drejtën për të jetuar një jetë të plotë dhe të lirë për realizimin e aspiratave të tyre, këtu pranë familjeve dhe miqve të tyre. Larg trysnisë së një pushteti që ka depërtuar dhunshëm në cdo qelizë të shoqërisë, një shteti që merr gjithcka dhe nuk jep asgjë. T’ua kthejë të drejtën për të vendosur, t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve.” tha Basha, ndërsa propozoi Platformën Qytetare për Demokracinë.

“Rruga drejt realizimi të këtij misioni nuk është e lehtë dhe as e tillë që Partia Demokratike mund ta përshkojë e vetme. Ajo fillon duke u dhënë pushtet qytetarëve. Ndaj me forcën që na dhanë qytetarët në 25 prill, ne ftojmë shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim rrënjësor në punët e vendit, dhe rezultate të prekshme për veten dhe fëmijët e tyre, që të ndërtojmë së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë. Ndërtimi i kësaj platforme do të ketë në themelin e saj rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.

Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore: Intelektualë, studentë, pedagogë, sipërmarrës, artistë, gazetarë, profesionistë, fermerë, të rinj e të reja që kërkojnë kthimin e normalitetit në vend. Që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.

Që mundësojnë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare, propozime për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe modelit të dështuar ekonomik që po i marrin frymën sipërmarrjes së ndershme, për lirinë dhe pavarësinë e medias, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi, ndryshime që e bëjnë shoqërinë realisht demokratike dhe e shpëtojnë shtetin nga kapja e një pakice që kërcënon të ardhmen e vendit.”- vijoi Basha.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *