27 janari është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Holokaustit. Që nga viti 2005 vendet anëtare të Asamblesë kanë organizuar ceremoni përkujtimore për të shënuar përvjetorin e çlirimit të kampit famëkeq të Auschwitz-Birkenau në Poloni dhe për të nderuar gjashtë milion viktimat hebreje të Holokaustit dhe miliona viktima të tjera të nazizmit.
Auschwitz-Birkenau është një nga kampet më të njohura të përdorura nga partia naziste në Luftën e Dytë Botërore. Në kampin Aushvic humbën jetën rreth një milionë e gjysëm njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Kampi u lirua më 27 janar të vitit 1945 nga ushtria sovjetike, ushtarët e së cilës arritën të shpëtojnë e të nxjerrin të gjallë nga kampi famëkeq 7 mijë të burgosur, pasi gjermanët u tërhoqën.
Më 1 nëntor 2005, Asambleja e Përgjithshme e KB miratoi rezolutën 60/7 për të caktuar 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit. E njëjta rezolutë mbështet zhvillimin e programeve arsimore për të kujtuar Holokaustin dhe për të parandaluar genocidin e mëtejshëm.
“Rezoluta 60/7 jo vetëm që përcakton 27 janarin si ‘Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në kujtim të viktimave të Holokaustit’, ajo gjithashtu hedh poshtë çdo formë të mohimit të Holokaustit,” sipas faqes së internetit të Muzeut Përkujtimor të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara.
Rezoluta dënon të gjitha format e “intolerancës fetare, nxitje, ngacmim ose dhunë ndaj personave ose bashkësi bazuar në origjinën etnike ose besimin fetar” në të gjithë botën.
Ceremonia e parë e përkujtimit u mbajt në 27 Janar 2006, në Selinë e KB në New York City. Zyrat e KB në të gjithë botën dhe zyrat e tjera shtetërore e kryejnë gjithashtu këtë ceremoni për çdo vit.
Që nga viti 2010, KB ka caktuar tema specifike për përkujtimet vjetore. Atë vit, tema qendrore u përqendrua rreth të mbijetuarve nga Holokausti dhe mësimet që ata u kalojnë brezave të ardhshëm. Tema e vitit 2012 ishte “Fëmijët dhe Holokausti” dhe nxori në pah efektet e dhunës masive te fëmijët. Tema e vitit 2017 theksoi “Edukimi i Holokaustit si një platformë për ndërtimin e respektit të të drejtave të njeriut, rritjen e tolerancës dhe mbrojtjen e njerëzimit tonë të përbashkët”.
Përveç vëzhgimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, shumë nga vendet pjesëmarrëse kanë krijuar ditët e tyre të përkujtimit që shpesh janë të lidhura me ngjarje nga Holokausti.