Në Shqipëri ka nisur të aplikohet nga policia rrugore drogë testuesi për të gjitha ata shoferë që ka dyshime se drejtojnë automjetin e tyre nën efektin e lëndëve narkotike.
“Kjo pajisje funksionon afërsisht si drager-i i alkoolmatësit dhe detekton të gjitha llojet e drogave që përdoruesit e mjeteve mund të kenë përdorur”.
Po cilët janë kategoritë e shoferëve që i nënshtrohen testit të drogës?
“Ne kemi një database tonin bazuar në SK2-at dhe informacionet që ne kemi për personat që përdorin lëndë narkotike, gjithashtu edhe për drejtuesit e mjeteve që bëjnë shkelje të qarkullimit rrugor dhe testi i alkoolit i del negativ. Ka edhe raste kur agjenti verifikues e sheh të arsyeshme që përdoruesi i mjetit mund të ketë konsumuar lëndë narkotike”.
Pajisja drogëtestuese në më pak se 3 minuta është në gjendje të identifikojë dhe llojin e lëndës narkotike që mund të ketë konsumuar drejtuesi automjetit. Sipas punonjëses së policisë rrugore, aplikimi i kësaj pajisje ka qenë i domosdoshëm.
“Ka qenë e nevojshme hyrja e kësaj pajisje pasi kishim përdorues droge që kryenin manovra të gabuara në rrugë, dhe të rrezikshme për veten dhe të tjerët dhe kur këta testoheshin me aparatin drager, i cili teston alkoolin dilnin negativ, atëherë lindte automatikisht dyshimi që këta drejtues mund të jenë në ndikimin e lëndëve narkotike. ”
I pari shofer që rezultoi pozitiv nga pajisja, ishte një shofer 25-vjeçar në Tiranë. I riu përfundoi në prangat e policisë pasi në automjet iu gjet dhe një sasi me lëndë narkotike, ndërsa krahas arrestimit ndaj tij uniformat blu ndërmorën masë administrative prej 15 mijë lekësh, tërheqje të lejes së drejtimit siç e parashikon dhe Kodi Rrugor./ Tv Klan