PEQIN – Një ngjarje e paprecedentë, mësohet se të ketë ndodhur rreth 10 ditë më parë në qendër të qytetit të Peqinit.
Burime pranë Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, i thanë ABC, se tre persona të maskuar dhe që lëviznin me një makinë tip “Benz” kanë ndaluar në qendër të qytetit të Peqinit dhe kanë tentuar që të rrëmbejnë djalin e mitur të Fatos Gosës, ky i fundit një person me precedentë të theksuar kriminal.
Mësohet se “Benzi” me tre personat e maskuar, është ndalur shumë pranë djalit të Fatos Gosës dhe kanë tentuar ta tërheqin nga krahët për ta rrëmbyer. Por në këtë moment, fëmija i mitur ka mundur të largohet me vrap dhe i ka shpëtuar kësaj grabitje. Që nga ky moment mësohet se djali i Fatos Gosës, fshihet dhe nuk është parë në zonën e Peqinit.
Dyshohet se kjo tentativë rrëmbimi lidhet me të shkuarën kriminale të Fatos Gosës, që njihet si i forti i Peqinit. Emri i tij është lakuar në disa vrasje dhe ngjarje të bujshme që kanë tronditur Elbasanin por jo vetëm.
Lexo edhe: Vrasja e Andi Zylyfit, si e spiunoi tek ekzekutorët Fatos Gosa të riun, po luante domino me babanë e tij: Hajdeni se doli
Por kush është “Tos Gosa”?
Fatos Gosa është një nga të arrestuari e aksionit të organizuar nga RENEA, FNSH e policia në Elbasan në Maj të këtij viti. Sjellim në vëmendje se pas dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, 18 persona u arrestuan dhe 14 u shpallën në kërkim. Ata u akuzuan për një sërë krimesh nga operacioni ‘Plumbi i artë’ i SPAK. 18 prej të arrestuarve u lanë në “arrest me burg” nga GJKKO ndërsa vijojnë hetimet për të vërtetuar të gjitha krimet e bëra prej tyre. Dy të penduar të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj nga qelia zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin./abcnews.al