Mëngjesi është një vakt tepër i rëndësishëm dhe si i tillë ju duhet të ushqeheni shëndetshëm.
Priza.al sjell në vëmendjen tuaj disa receta gatimi të cilat përgatiten fare lehë dhe plot vlera ushqyese:
Brokoli me vezë të skuqur
Në fillim ziejmë për 10 minuta brokolit e ndara në lule të vogla. Më pas në tigan hedhim dy lugë gjelle me vaj ulliri, e lëmë pak të nxehet dhe më pas hedhim vezët sy. U hedhim pak kripë dhe i lëmë të skuqen pak apo shumë sipas preferencës.
Krepa me miell misri me spinaq dhe djathë të bardhë
Brumin e krepave e përgatisni me miell misri në vend të miellit të grurit. Për mbushjen e një krepe, në një tigan hidhni një grusht me spinaq. Lëreni në zjarr sa të avullojë uji, hidhini pak kripë, vaj ulliri dhe thërrime djathi dhe mbushni krepën.
Omëletë me spinaq dhe avokado
Grini një grusht me spinaq, gjysmë avokado të prerë në kubikë. Hidhni në një tas dy vezë, pak kripë dhe rrihini fortë. Më pas shtoni spinaqin dhe avokadon dhe përziejini bashkë. Vendosni një tigan në zjarr. Hidhni pak vaj ulliri dhe shtroni omëletën. Lëreni të skuqet mirë nga njëra anë dhe më pas kthejeni nga ana tjetër.