Një godinë e marrë me qera por e kthyer në studio muzikore i kushtuan shtrenjtë muzikantit Boiken Lako. Mësohet se gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Besnik Hoxha e ka dënuar me 3 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “Ndërtimit të paligjshëm“ për qëllime fitimi.
Në përfundim të gjykimit të shkurtuar dhe pezullimit të dënimit, Lako është dënuar me 3 vite shërbim prove. Sakaq, ka marrë dhe një gjobë prej 500 mijë lekësh (të vjetra) nga IKMT.
Sipas shkresës nga IMT-ja Bashkia Tiranë, thuhet në vendimin e gjykatës, inspektorët kanë konstatuar se po bëheshin punime pa dokumentacion në objekt, që konsiston në hapjen e katër dritareve në njërën faqe të objektit, me përmasa 75x140cm dhe 120x140cm, në katin e dytë të ndërtesës. Ndaj Lakos është mbajtur proces-verbal i konstatimit të kundra vajtjes më 17 Shkurt 2021, ndërsa më 26 Shkurt është dënuar me 50 000 lekë gjobë.
Ndër të tjera 47 vjeçari ka pasur probleme që prej 16 shkurtit 2021, Siç shpjegohet në vendimin e gjykatës dhënë më 8 Shkurt të këtij viti: Në Komisariatin e Policisë Nr.2 është njoftuar me telefon nga një qytetar, se në rrugën “Shefqet Musaraj”, tek një ndërtesë 2-katëshe të pabanueshme, po kryheshin punime ndërtimore pa leje. Pas njoftimit, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe gjatë këqyrjes është konstatuar se kjo godinë ishte në bllokun e ish-magazinave tek ish-NISHARAK.
Boiken Lako ka deklaruar se punimet po kryheshin për llogari të tij në godinë, të cilën e ka marrë me qera duke dashur ta sistemojë me qëllim ta kthente në një studio muzikore. Ka shkuar tek Njësia Administrative Nr.7 dhe ka aplikuar më 21 Janar 2021. Pasi ka dalë leja, ka kontaktuar me një mikun e tij për të ndjekur punimet pasi ai vetë ishte i zënë.