Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se sot Këshilli i Ministrave ka miratuar projektin për 30 milion euro hua për ngritjen e sistemeve të mbrojtjes civile. Sipas Peleshit ky sistem, do të shtrihet në 12 qarqet ku do të ketë edhe salla operative.
Peleshi shtoi se me këtë fond do të mund të blihen edhe dy mjetet ajrore për shuarjen e flakëve, por pa specifikuar se për çfarë mjetesh bëhet fjalë.
“U miratua projekt vendimi mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile. Italia është angazhuar për të mbështetur mbrojtjen civile në formë huaje 30 milion euro. U miratua sot me VKM. Dhe do të bëhet aktive. Kredia është për mbështetjen e mbrojtjes civile. Do ndërtohet një qendër e mbrojtjes civile. Më pas në të gjitha prefektuar 12 prej tyre dhe do ndërtohen salla operacionale të lidhura në rrjet. Tek 4 qendrat e mbrojtës civile, do ketë struktura të Kërkim Shpëtimit, do kemi edhe trajnimin e tyre. Do kenë të gjitha pajisjet për fatkeqësitë natyrore. Për Zjarrfikësit parashikohet të blihen automjete dhe pajisje. Pjesë e kredisë do të jenë edhe blerja e mjeteve ajrore për zjarret gjatë verës. Pra do shtojmë dy mjete ajrore që nuk i kemi pasur. Do ketë edhe një kamp trajnimi për zjarrfikësit. Ky kamp do jetë e pajisur me laboratorë të ndryshëm.” tha Peleshi.
Pjesa më e vështirë për helikopterët dhe mjeteve të tjera ajrore sipas Peleshit është ajo e mirëmbajtjes. Ai njoftoi se Shqipëria po ndërpret kontratën për remontin e helikopterëve me Italinë dhe do të shihet mundësia që këto helikopterë remontin ta bëjnë në bazat e NATO-s.
“Ne jemi në proces të ndërprerjes së kontratës pra me prishjen e kontratës për helikopterin Kugar që është në Itali. Sapo helikopteri të çlirohet nga kontrata me Italinë, do të shkojë në agjencinë e NATO për prokurimin për të bërë mirëmbajtjen. Ja kemi deleguar MSPA strukturë e NATO. Kemi në gatishmëri, edhe pse 100%. Një Helikopter Kugar është në gatishmëri. Një tjetër për emergjenca mjekësore është në dispozicion të urgjencës”, tha Peleshi.
Ministri Niko Peleshi, në deklaratën e tij pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, u pyet lidhur akuzat e medias malazeze se është thyer embargon e SHBA dhe BE, duke lejuar tregtinë e grurit dhe të plehrave kimikë mes Serbisë dhe Rusisë, përmes Portit të Durrësit.
“Nuk kam informacion të mediave malazeze. Nuk e di sa qëndron. Sa media serioze është nuk e di”, u shpreh Peleshi.
Peleshi mes të tjerash theksoi se ka diskutuar me Christopher Cavolin, komandantin suprem të NATO-s, për një bazë ushtarake të NATO në portin e Durrësit.
“Kemi pasur një takim të fundit në qendrën e NATO-s me komandantin suprem të NATOS Gjeneral Kavoli. Diskutim ka qenë mundësia e mbështetjes nga NATO me një hapësirë ushtarake. Është projekt i rëndësishëm. Para një viti kur ai ishte këtu…tha se Durrësi si nyje hyrëse për në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm. Ne po i ofrojmë që porti të jetë sipas standardeve të NATO-s. Po konsultohemi nga NATO. Ai më garantoi se do të sjellë burime njerëzore për konsulta dhe po punojmë edhe për financimin. Edhe mundësia e financimit ka hyrë në diskutimet e NATO-s. Ne kemi biseduar edhe për Kuçovën për të ndërtuar qendrën e vrojtimit ajror”, tha Peleshi.
j.l./ dita