Ish-kryeministri Sali Berisha ka kujtuar 22 marsin e 1992-it, ditën kur Partia Demokratike erdhi në pushtet. Gjatë fjalës së tij në konferencën “Doktrina e së djathtës” ai përmendi edhe faktin se demokratët e sapo ardhur në pushtet në ’92 arritën të bënin pronare shumë familje. Megjithatë ai pranon se pati edhe shkelje të të drejtave të pronarëve të mëparshëm.
Pjesë nga fjala e Berishës: “Kjo konferencë zhvillohet në një ditë të veçantë. Bektashinjtë shqiptarë kremtojnë sot Sulltan Novruzin. Unë e shfrytëzoj këtë rast për të shprehur nderimin tim më të madh për bektashinjtë shqiptarë, të cilët kanë qenë bastion i vërtetë i shqiptarizmit, por në teqetë e tyre, por edhe i gjuhës dhe edukimit, në kohën kur shqiptarët nuk kishin shkolla. Uroj kjo ditë që të frymëzojë shqiptarët që Sulltan Novruzin tjetër ta kremtojmë më mirë. Gjithashtu nesër fillon muaji i shenjtë i Ramazanit. Qindra-mijëra besimtarë myslimanë i përkushtohen sakrificës, të mirës. Nderojnë dhe lartësojnë veten.
Duke i përgëzuar ata, i lutem zotit të pranojë sakrificën. Sot është gjithashtu 22 marsi, dita kur shqiptarët 32 vite më parë, kurorëzuan revolucionin demokratik të viteve ’90, përmbysën sistemin komunist, më stalinist të Europës, më të egër, më barbar. Diktatori i vetëm që do krahasohej me Adolf Hitlerin. Lufta e egër e klasave, kasaphana e saj, kishte krijuar në Shqipëri klimën më të frikshme, më të rëndë.
Grupi që erdhi në pushtet në 92-in, në kushte të vështira ka një meritë arsyet e së cilës duhet t’i studiojnë politologët. Isha i frymëzuar nga Regan, për antikomunizmin e tij. Ai ishte burrë vigan. Ai përdori fuqinë e vendit të tij për të shërbërë dhe ndihmuar ata që luftonin kundër komunizmit. PD sot është në momente të vështira. Por brenda 1 viti bëri pronare shumë familje shqiptare të apartamenteve të tyre. Në asnjë vend, dhe në vendet më private, një vendim i tillë nuk është marrë ndonjëherë. U përpoq me tokën, që për fat të keq shkelën të drejtat e pronarëve.”