Berisha tha se ato vajza dhe djem, burra dhe gra, ishin të guximshëm dhe pavarësisht kushteve të terrorit që përjetuan, nuk u mposhtën.
“Gjirokastra, qytet simbol për mbarë kombin. Historikisht ka qenë një epiqendër shumë e rëndësishme e kombit. Unë dua të përshëndes të gjithë gjirokastritët, të përulem para atyre që themeluan 32 vjet më parë degën e PD. Ata ishin djem dhe vajza, burra dhe gra guximtarë.
Qëndruan të pamposhtur edhe në kushte terrori. Edhe breshëri u hodhën drejt tyre, por nuk u mposhtën dhe qëndruan për ato vlera të cilat revolucioni i viteve 1990 synonte të sillte në Shqipëri. Ai revolucion përmbysi një rend shoqëror, ndër më tragjikët në historinë e njerëzimit, ndër më çnjerëzor dhe më barbarët në historinë e Shqipërisë.
Një rend që në Shqipëri njohu format më të egra. Shqiptarët përjetuan një kasaphanë të luftës së klasave, përjetuan një tirani mjerimi nga hipekolektivizmi total, që i vendosi ata në një uri kronike, përjetuan një tirani izolimi të paparë në historinë e tyre. Si asnjë vend tjetër në historinë e Europës dhe botës, e shkëputur për dekada. Përjetuan tiraninë e indoktrinimit. Kjo më e fuqishme dhe më e shprehur se në ndonjë vend tjetër”, tha Berisha.