Presidenti Bajram Begaj është takuar me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Kanadasë, Anthony Rota.
Begaj në ‘Facebook’ shkruan se fokus i këtij takimi ka qenë dialog politik dhe partneriteti mes dy vendeve në kuadër të aleancës në NATO.
Sakaq shton se Kanadaja ka mbështetur intetgrimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të komunitetit shqiptar që jeton e punon në këtë vend.
Postimi i plotë:
Kënaqësi të takoja sot Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Kanadasë, Anthony Rota për të diskutuar lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, ndërsa kremtojmë 35-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Theksova rëndësinë e dialogut politik, bashkëpunimit në fushat me interes si dhe partneritetin e ngushtë mes dy vendeve në kuadër të aleancës në NATO.
Vlerësoj mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë integrimit dhe ruajtjes së trashëgimisë historike e kulturore të komunitetit shqiptar që jeton e punon në këtë vend, duke e konsideruar atë si një urë miqësie e bashkëpunimi. Vlerë e shtuar në këtë aspekt është edhe marrëveshja dypalëshe për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore.
Bisedimet u fokusuan edhe te zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësia e vijimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si rruga më e mirë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme.