Pas një hetimi 5 mujor policia ka arrestuar Kreshnik Halilaj, një 40-vjeçar në zonën e Alliasit pasi kishte kthyer dyqanin e tij “Tabachino” në një pikë të shitjes së dorgrave të forta.
Burime policore bëjnë me dije se Halilaj kërkonte 3500 lekë të rinj për cdo dozë kokaine. Gjithashtu si prova materiale efektivët kanë sekuestruar lëndë narkotike kokainë, një armë zjarri pistoletë, shumat 42.000 lekë të rinj dhe 8730 euro, një automjet, një motomjet dhe 7 aparate celular.
Operacioni i koduar “ALLIASI” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “ALLIASI”, pas një hetimi 5-mujor. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për goditjen e veprimtarisë në fushën e narkotikëve.
Kishte përshtatur një tabachino për shitjen e drogave të forta, kundrejt shumës 3500 lekë të rinj për dozë, vihet në pranga 40-vjeçari. Sekuestrohen lëndë narkotike kokainë, një armë zjarri pistoletë, shumat 42.000 lekë të rinj dhe 8730 euro, një automjet, një motomjet dhe 7 aparate celular.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “ALLIASI”, në kuadër të të cilit bënë ekzekutimin e masës së sigurisë për shtetasin K. H., 40 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë.
Arrestimi i tij u bë pasi gjatë një hetimi 5-mujor, shërbimet e Policisë bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të drogave të forta.
Ky shtetas u kap në kushtet e flagrancës në zonën e Alliasit, në një tabachino pranë banesës së tij, ku shiste lëndë narkotike kokainë kundrejt 3500 lekë të rinj për dozë.
Gjatë kontrollit të tabachinos dhe banesës u gjetën dhe u sekuestruan doza me lëndë narkotike kokainë, një armë zjarri pistoletë, shumat 42.000 lekë të rinj dhe 8730 euro, një automjet, një motomjet dhe 7 aparate celular.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.