Një burrë 76-vjeçar që besohet të jetë kryetari i familjes më të madhe në botë ka vdekur në shtetin Mizoram të Indisë. Ziona Chana, kreu i një sekti fetar që praktikonte poligaminë, vdiq të dielën, duke lënë pas 38 gra, 89 fëmijë dhe 36 nipër e mbesa. Lajmi u konfirmua nga kryeministri i Mizoram, Zoramthanga, i cili shprehu ngushëllimet e tij në Twitter.
Chana thuhet se vuante nga diabeti dhe hipertensioni. Mjekët shpjeguan se gjendja e tij u përkeqësua në shtëpi në fshatin e lindjes, Baktawng Tlangnuam. Ai u shtrua në spital të Dielën në mbrëmje, ku u shpall i vdekur pas mbërritjes.
Është e vështirë të thuash nëse Chana ishte me të vërtetë kryefamiljari i familjes më të madhe në botë pasi ka të tjerë që pretendojnë titullin. Gjithashtu është vështirë të vlerësosh madhësinë e saktë të familjes së Chana. Të paktën një raport pretendon se ai kishte 39 gra, 94 fëmijë, 33 nipër e mbesa dhe një stërnip, që e çon numrin deri në 181 persona. Por rekord botëror apo jo, Chana dhe familja e tij u bënë një atraksion i madh në vend, duke tërhequr turistë në fshatin e tyre në veri-lindje të Indisë. Dhe jeta e jashtëzakonshme e Chana ka rrëmbyer disa tituj ndër vite.
Familja e madhe jeton së bashku në një shtëpi me 4 kate të quajtur “Chuuar Than Run” ose Shtëpia e Brezit të Ri, me 100 dhoma. Gratë e tij ndajnë një konvikt pranë dhomës së gjumit private të Chana, sipas mediave lokale. Rezidenca është një atraksion i madh turistik në shtet, me njerëz nga e gjithë bota që grumbullohen në fshat për të parë mënyrën e jetesës të familjes.
Chana ka lindur në vitin 1945. Ai u takua me gruan e tij më të vjetër, e cila është tre vjet më e madhe se ai, kur ishte 17 vjeç. Familja i përket një sekti të krishterë – Chana Paël – që ka rreth 2,000 ndjekës. Ata të gjithë jetojnë rreth shtëpisë së Chana në Baktawng Tlangnuam, rreth 55 km (34 milje) nga kryeqyteti i Mizoram, Aizaël. Sekti, i cili lejon poligaminë për burrat, u themelua nga gjyshi i Chana në 1942.
/Burimi BBC:/ përshtati në shqip Priza.al/