Ministria e Bujqësisë ka reaguar në lidhje me rosat e ngodhura në fshatin Mizë të Divjakës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministria bën me dije se rosat nuk kanë ngordhur për shkak të gripit të shpendëve por për shkak të salmonelës.
Saaq shton se nëse zihet ose piqet për 15 minuta në mbi 60 gradë celcius nuk paraqet rrezik te konsumatorët.
Kujtojmë se 4200 rosa të ngordhura në fshatin Mizë të Divjakës, përhapën frikë dhe panik jo vetëm tek punonjësti e fermës por në të gjithë zonën. Lajmi u bë i ditur nga pronari i fermës, Ardian Bakiu pasi ngordhja masive e shpendëve ka sjellë probleme shëndetësore tek i gjithë stafi, madje edhe tek ai vetë.
Sakaq, shqetësimet që ata kanë ndier kanë qenë të tipit dhimbje koke, temperaturë e të vjella.
Reagimi i Plotë:
Lidhur me rastin e raportuar në fshatin Mizë në bashkinë Divjakë, në fermën e Z.Ardian Bakia, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, pas kryerjes së analizave, konfirmon se nuk kemi të bëjmë me prezencë të influencës aviare (gripi i shpendëve). Sipas rezultateve të analizave, shpendët janë të prekur nga sëmundja e salmonelës. Salmonelozat, janë një familje bakteresh me mbi 3000 serotipe që gjenden shpesh në shpendë, edhe pa shkaktuar sëmundje apo ngordhje, në varësi të shtamit apo serotipit.
Sidoqoftë, produkti ushqimor, edhe ne rastin kur është i kontaminuar, nëse i nënshtrohet trajtimit të zakonshëm termik (zierjes ose pjekjes mbi 60 gradë celcius për të paktën 15 minuta), nuk paraqet rrezik tek konsumatori. Drejtoria Rajonale Fier e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, bazuar në ligjin për shërbimin veterinar ka vendosur fermën në karantinë dhe ka kryer dizifektimin dhe groposjen e shpendëve. Gjithashtu Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ngritur një trup të posaçëm të inspektimit të drejtorisë rajonale të Qarkut Fier, për të monitoruar dhe siguruar respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore. Në bashkëpunim me strukturat vendore janë marrë të gjitha masat për të parandaluar futjen e shpendëve të tjerë në zonën e karantinuar.