Vijon të mbetet mister vdekja e katër shtetasve rus në resortin “Gloria Palace” mbrëmjen e djeshme në Qerret të Kavajës. Nga ekzaminimet e kryera rezulton se ata nuk kanë konsumuar gjë në Shqipëri pas kthimit nga Ohri, ndërsa nga verifikimet e bëra në zonën e Saunas rezulton të mos jenë gjetur element që mund të sillnin asfiksinë.
Diçka e tillë ka shtuar dyshimet tek prokurorët se mund të kemi të bëjmë edhe me një vrasje, por mbetet ende herët për të dalë në një përfundim të saktë për mënyrën e kryerjes së saj.
Viktimat janë Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe.
Grupi hetimor ka bërë verifikimet e ujit të pishinës, kondicionerëve dhe ambientit të saunas duke mos gjetur asnjë element që mund të çonte në asfiksimin e rusëve, ndërkohë që në dhomë është gjetur vetëm një shishe birre e hapur, e cila është marrë për verifikim.
Pas njoftimit për ngjarjen, punonjës të ambasadës ruse shkuan gjatë mbrëmjes së djeshme në hotelin ku katër turistët u gjetën të vdekur. Grupi hetimor është duke kryer edhe verifikime të mëtejshme në lidhje me atë që përfaqësojnë katër rusët e vdekur.
/Priza.al/